Me gjithë triumfin në Superkupën dhe Kupën e Kosovës, Sigal Prishtina ishte skuadra e parë që u eliminua në garat e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll.
Prishtina i dha fund edicionit 2020/21 të premten kur pësoi humbje në palestrën “Karagaçi” nga skuadra e Pejës në kuadër të serisë çerekfinale. Peja e fitoi këtë ndeshje me rezultatin 100:83 për të konfirmuar eliminimin e hershëm të Prishtinës, ekip që nuk ka pasur rezultate të mira në kampionat. Për Pejën kjo ishte fitorja e dytë në tri ndeshje të luajtura në kuadër të kësaj serie. U kualifikua në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 2:1. Në gjysmëfinale skuadra e Pejës do të përballet me kampionin e pjesës së rregullt, Ponte Prizrenin.
Sigal Prishtina mbetet ekipi më i suksesshëm në basketbollin kosovar dhe eliminimi në çerekfinale ka nxjerrë në pah formën e dobët që ka treguar në pjesën e rregullt të sezonit. Në fakt Prishtina vetëm në xhiron e fundit të pjesës së rregullt e ka siguruar pjesëmarrjen në plejof pasi doli e gjashta në tabelë. Pati 11 fitore karshi 17 humbjeve në 28 xhiro të zhvilluara. Në pjesën e parë të këtij sezoni skuadra e Prishtinës luajti me lojtarë vendorë, të cilëve ua shtoi edhe basketbollistin nga Shqipëria, Daniel Lekndreaj, kurse tre amerikanët i mori në fillim të këtij viti. Lekndreaj u largua nga Prishtina pas përfundimit të pjesës së rregullt.
Prishtina e nisi sezonin me trajnerin Andin Rashica, e vazhdoi me Dragan Radoviqin për ta përmbyllur me Ljupço Malinkovin. Ky i fundit u shpreh shumë i zhgënjyer me eliminimin e hershëm të ekipit.
“100 pikë të pranuara në tërë ndeshjen, ku vetëm 50 prej tyre ishin në pjesën e parë. Kjo do të thotë se mbrojtja jonë ishte katastrofale. Në sulm ishim deri diku efikase, por kemi luajtur pa mbrojtje dhe kjo na kushtoi në fund me këtë humbje të thellë. Kemi pranuar pikë të lehta dhe në të njëjtën kohë nuk kemi arritur për asnjë moment t’i ndalim kundërshtarët. Kemi humbur apo jemi eliminuar nga një ekip i fortë siç është Peja”, është shprehur Malinkov.
Te Prishtina vetëm dy basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore. Amerikani Nigel Johnson ishte më i dalluari me 26 pikë të shënuara, i përcjellë nga Tevin Mack që ndeshjen e mbylli me 25 sosh. Pejës edhe në ndeshjen e tretë çerekfinale ndaj Prishtinës i mungoi kapiteni Dardan Berisha por mungesa e tij u mbulua nga lojtarët e tjerë. Qendra Brandon Walters ndeshjen e mbylli me 33 pikë e 11 kërcime derisa me lojë të mirë u veçuan edhe AJ Walton (19 pikë, 8 asistime) e Lis Shoshi (18 pikë, 10 kërcime).
Pas eliminimit të Prishtinës trajneri i Pejës, Dragan Radoviq, është shprehur i lumtur me kalimin në gjysmëfinale por ka pranuar se i pret një punë e vështirë përballë Ponte Prizrenit. Ai nuk ka fshehur dëshirën për ta fituar titullin e kampionit me Pejën. Në rast të triumfit, për Radoviqin do të ishte trofeu i dytë këtë sezon në Kosovë pasi më herët e fitoi Kupën me Prishtinën.
“Jam shumë i lumtur me këtë fitore, falë të cilës kemi vazhduar garat në plejof. Ishim ekip që e kemi dashur më shumë fitoren dhe pothuajse gjatë tërë kohës ishim në epërsi. Tani është koha të mendojmë për serinë gjysmëfinale dhe nuk kemi shumë kohë të bëhemi gati ndaj Ponte Prizrenit”, është shprehur Radoviq. “Ponte ka një skuadër shumë të mirë dhe na pret një seri e ndeshjeve tjera të forta duke pasur parasysh sezonin fantastik që ka pasur”.