Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Enrique mundohet ta shmangë emrin e Kosovës, por pranon se ajo ka cilësi

Ka folur pak për kundërshtarin, e dukshëm më tepër për ekipin e tij. Në konferencën e gjatë ka prekur shumë tema, por emrin e Kosovës e ka përmendur vetëm një herë.

Seleksionuesi i Spanjës, Luis Enrique, ka vazhduar me qasjen e pazakontë të drejtuesve spanjollë para ndeshjes me Kosovën.

Ndeshja Spanjë – Kosovë luhet të mërkurën nga ora 20:45 në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla. Për Spanjën është ndeshja e tretë kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Për Kosovën është ndeshja e dytë.

Spanja, si superfuqi e futbollit, është favorite e madhe ndaj Kosovës, që megjithatë nuk po kalon moment të mirë. As Spanja nuk është në momentin më të mirë të saj, por cilësinë e ka të nivelit dukshëm më të lartë se Kosova.

Se ndeshja ndaj Kosovës duhet të fitohet e ka thënë edhe seleksionuesi i Spanjës, Luis Enrique. Ai ka përmendur Kosovën vetëm në përgjigjen e fundit në konferencën për shtyp të mbajtur të martën pasdite.

Edhe Enrique nuk përmend Kosovën, por pëlqen guximin e lojtarëve të saj Sport Enrique nuk përmend Kosovën, por pëlqen guximin e lojtarëve të saj

“E rëndësishme është që të fitojmë nesër. Do të përpiqemi që prej fillimit e deri në fund të sulmojmë. Kosova duhet të mposhtet. Gjëja e vetme që mund të garantoj është se jemi përgatitur mirë dhe do të përpiqemi të tregojmë forcën tonë në fushë. Synimet tona janë gjithmonë të njëjta. Pra, nuk ndryshojnë asnjëherë – të fitojmë”, ka thënë Enrique. Sipas tij, tifozët duhet të kënaqen me lojën e Spanjës ndaj Kosovës.

Në ndeshjen e fundit të vitit të kaluar, Spanja fitoi 6:0 ndaj Gjermanisë, përfaqësueses tjetër të nivelit më të lartë evropian. Por në hapje të eliminatoreve për Botëror, spanjollët kanë pasur telashe për t’i shfaqur vlerat.

Kanë barazuar fillimisht me Greqinë në Granada, me rezultatin 1:1. Më pas të dielën në Tbilisi, Spanja mezi ka fituar 2:1 ndaj Gjeorgjisë. Golin e fitores e ka shënuar në minutën e 92-të. Kosova të dielën pësoi 3:0 nga Suedia në Prishtinë.

Suedia pritet të jetë rivalja e Spanjës për vend të parë në grup. Ndërsa Kosova pritet të zhvillojë garë me Greqinë e Gjeorgjinë për plasman sa më të mirë. Spanja e Suedia janë edhe në Evropian në grup të njëjtë. Madje, ndeshja me Kosovën për Spanjën është e fundit para grumbullimit për Evropian.

“E pres një rival të ngjashëm me ndeshjet e kaluara. Është ekip pak ndryshe nga Greqia e Gjeorgjia, pasi avancon para. Është ekip i guximshëm, më pëlqen. Ata guxojnë të rrezikojnë. Kanë një sulmues të mirë që e mban topin para mbrojtjes dhe përfundimisht një prej kundërshtarëve të vështirë”, ka thënë Enrique.

Edhe Enrique pret ndeshje të vështirë edhe ndaj Kosovës Sport Enrique pret ndeshje të vështirë edhe ndaj Kosovës

Ai ka folur në konferencë edhe për Gerard Morenon, Sergio Ramosin, Jordi Alban, listën për Evropian, portën, sulmuesit, kritikat e gjëra të tjera.

Në konferencë ka folur edhe mesfushori Sergio Canales. Ai, për dallim nga Enrique, nuk e ka përmendur fare Kosovën.

“Sot është vështirë të mposhtësh çdo rival që e ke përballë dhe kjo po dëshmohet. Megjithatë, ne jemi përgatitur për secilën situatë. Gjëja më e rëndësishme është se ekipi i ka gjërat e qarta dhe po rritet nga ndeshja në ndeshje. E rëndësishme është ndeshja e nesërme. E shoh grupin me ambicien e njëjtë si kundër Gjermanisë dhe kjo më jep siguri dhe vetëbesim”, ka thënë Canales. Edhe ai ka prekur tema të ndryshme gjatë konferencës.

Edhe gazetarët spanjollë kanë bërë pak pyetje lidhur me Kosovën. Ndërkohë, Federata spanjolle fillimisht kishte shkruar “Kosova” (Kosovo) në njoftimin për konferencën e Enriques. Por, ndërkohë “Kosova” u zëvendësua me “ekipi kosovar” (equipo kosovar).

Edhe Enrique nuk merret me politikë, federata spanjolle po Sport Enrique nuk merret me politikë, federata spanjolle po

Në stadiumin ku do të luhet ndeshja tashmë është vendosur flamuri i Kosovës. Po ashtu, gjatë së martës janë bërë prova për ceremoninë para ndeshjes, duke u lëshuar disa herë himni i Kosovës.

UEFA ka garantuar se ndeshja do të luhet me rregullore të FIFA-s, pra me himne e flamuj shtetërorë. Por, qasja e spanjollëve megjithatë nuk është si ndaj përfaqësueseve të tjera. Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës. Por përfaqësuesen e Kosovës do të detyrohet ta njohë, falë vendosmërisë së FIFA-s e UEFA-s për garim të barabartë.