Sport

Pa sulmuesit Cavani e Martial, Unitedi synon ta evitojë humbjen nga Leipzigu

Manchester Unitedi do të jetë pa sulmuesit Edinson Cavani e Anthony Martial për ndeshjen më të rëndësishme të skuadrës në Ligën e Kampionëve, atë kundër RB Leipzigut, të martën mbrëma.

Pasi humbi 3:1 në shtëpi nga Paris Saint-Germaini javën e kaluar, skuadra e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer ka pikë të njëjta me ekipin francez dhe RB Leipzigun në Grupin H. Ekipi anglez do të kualifikohet në raundin e nokautit nëse shmang humbjen nga Leipzigu. “Djajtë e kuq” do të jenë pa sulmuesit e rëndësishëm, që u lënduan në fitoren e fundit ndaj West Ham Unitedit (3:1) në kuadër të Premier Leagues.

“Portieri David De Gea dhe Luke Shaw besoj se do të luajnë, por Cavani dhe Martial nuk kanë gjasa pas lëndimeve të fundit që i pësuan”, ka pranuar Solskjaer, i cili do të jetë edhe pa mesfushorin Fred, të pezulluar. “Do të jenë mungesa të mëdha, por kam besim në ekipin tim”.

Ndeshja do të luhet në stadiumin “Red Bull Arena” prej orës 21:00. Në duelin e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave të luajtur në muajin tetor në stadiumin “Old Trafford”, ishte ekipi i Solskjaerit që shënoi fitore të thellë, 5:0. Manchester Unitedit nuk i kryen punë humbja ndaj Leipzigut. Në rast të disfatës atëherë Unitedi garat do t’i vazhdojë në Ligën e Evropës.

Në pozitë më të favorshme është PSG-ja, që në ndeshjen e fundit luan me Istanbul Bashakshehirin tashmë të eliminuar. Ekipit francez i mjafton barazimi për t’u konfirmuar në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.

Trajneri i Unitedit, Solskjaer, e ka parasysh se ekipi i tij do të jetë në presion të madh ndaj Leipzigut, por është i bindur se lojtarët do ta bëjnë të pamundurën që ta ruajnë pozitën aktuale në tabelë.

“Nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë, por në Ligën e Kampionëve nuk ka të tilla dhe këtë e kemi parasysh. Ne duhet të dalim në fushë dhe ta bëjmë punën tonë, pra mos të luajmë për barazim por për fitore sepse duam të avancojmë tutje”, ka paralajmëruar Solskjaer. “Ndaj Leipzigut në sulm do të jetë Mason Greenwood që është një lojtar i mirë dhe pres të mbulojë zbrazëtirën që e kemi në këtë repart. Ai është në gjendje të krijoj raste për vete dhe të shënoj gola”.

Për dallim prej Manchester Unitedit, skuadrës së Leipzigut nuk i kryen punë barazimi, por nëse PSG pëson. Te Leipzigu pranojnë se vetëm me fitore mund të avancojnë tutje në Ligën e Kampionëve dhe trajneri Julian Nagelsmann është i bindur se ekipi i tij nuk do të eliminohet nga gara më prestigjioze e Evropës. Madje, ai beson në fitoren RB Leipzigut.

“Ne mund ta eliminojmë Manchesterin që dikur e kishte të sigurt avancimin nga faza e grupeve. Është një ndeshje e vështirë, por ne e kemi fatin në duart tona dhe unë jam optimist i madh se do të vazhdojmë garat në Ligën e Kampionëve”, ka porositur Nagelsmann.

Edhe më optimist se trajneri Nagelsmann, është treguar kapiteni i RB Leipzigut, Marcel Sabitzer.

“E kemi parasysh rëndësinë e këtij dueli dhe jam plotësisht i bindur se mund ta mposhtim Manchester Unitedin”.

Ngjashëm sikurse Leipzigut, edhe kampionit të Belgjikës, Club Brugge, i duhet fitorja për t’u kualifikuar në fazën tjetër të Championsit. Në ndeshjen e fundit të Grupit F, Brugge është mysafir i skuadrës së Lazios, ndeshje kjo që zhvillohet të martën prej orës 18:55. Lazio zë vendin e dytë në grup me nëntë pikë, dy më shumë se Brugge që është i treti. Përderisa ekipit italian i mjafton barazimi për të konfirmuar vendin e dytë në grup, skuadrën belge e dërgon tutje vetëm fitorja. Ndeshja tjetër e këtij grupi, që nis në kohën e njëjtë, është ajo ndërmjet Zenitit dhe Borussia Dortmundit, por ekipi gjerman tashmë e ka konfirmuar veten në mesin e skuadrave të fazës së nokautit.

“Edhe pse barazimi na konvenon, dueli me Bruggen është si finale për ne. Kemi pritur 13 vjet për t’u kthyer në Ligën e Kampionëve dhe duam ta shkruajmë edhe më tej historinë, pra të kualifikohemi në fazën tjetër. Do të jetë një ndeshje e vështirë pasi Brugge nuk vjen për t’u mbrojtur por besoj se jemi të gatshëm”, ka theksuar trajneri i Lazios, Simone Inzaghi që ka konfirmuar mungesën e sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi që ende nuk është rikuperuar nga lëndimi.

Ndërkohë, një ndeshje tjetër interesante por që nuk ka ndonjë vlerë të madhe, është ajo që zhvillohet në stadiumin “Camp Nou” ndërmjet Barcelonës e Juventusit. Kjo ndeshje i takon Grupit G, në të cilën tashmë Barcelona e Juventusi kanë konfirmuar kualifikimin në raundin tjetër. Barça është e para në grup me 15 pikë prej pesë ndeshjeve të zhvilluara derisa Juventusi zë vendin e dytë me tri pikë më pak. Në ndeshjen e parë të luajtur në Torino, pati triumfuar Barcelona me rezultatin 2:0. Në këtë ndeshje, te Juventusi pati munguar ylli portugez Cristiano Ronaldo për shkak të infektimit me koronavirus. Mirëpo, Ronaldo është i gatshëm për ndeshjen e së martës që zhvillohet prej orës 21:00. Ylli portugez i ka realizuar 750 gola në karrierë dhe është golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve. Ronaldo kurrë nuk ka shënuar kundër Lionel Messit në një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë argjentinasi Messi i ka realizuar tre gola në pesë ndeshje. Dy superyjet do të takohen të martën në “Camp Nou” dhe do të jetë përballja e parë mes tyre që kur Ronaldo u largua nga Reali dhe iu bashkua Juventusit, në verën e vitit 2018. Ronaldo dhe Messi kanë luajtur 33 ndeshje kundër njëri-tjetrit. Argjentinasi i ka fituar 15 prej tyre dhe i ka shënuar 21 gola. Ronaldo i ka shënuar 18 gola dhe i ka fituar nëntë ndeshje në të gjitha garat deri më tash kundër Barcelonës.

“Mendoj se nuk është mirë të flas se kush është më i miri, Messi apo Ronaldo, pasi për mua të dy janë të jashtëzakonshëm. I admiroj të dy lojtarët, sepse i kanë dhënë futbollit gjëra të mëdha me paraqitjet dhe golat e tyre. Kështu që shpresoj ta shijojmë magjinë e tyre edhe këtë herë”, është shprehur trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman.

E martë

Grupi E

Chelsea – Krasnodar (21:00)

Rennes – Sevilla (21:00)

1. Chelsea 5 13

2. Sevilla 5 10

3. Krasnodar 5 4

4. Rennes 5 1

Grupi F

Lazio – C. Brugge (18:55)

Zenit – Borussia D. (18:55)

1. Borussia D. 5 10

2. Lazio 5 9

3. C. Brugge 5 7

4. Zenit 5 1

Grupi G

Barcelona – Juventus (21:00)

Dynamo K. – Ferencvaros (21:00)

1. Barcelona 5 15

2. Juventus 5 12

3, Dynamo K. 5 1

4. Ferencvaros 5 1

Grupi H

PSG – Istanbul B. (21:00)

RB Leipzig – Man. Utd (21:00)

1. Man. Utd 5 9

2. PSG 5 9

3. RB Leipzig 5 9

4. Istanbul B. 5 3