Sport

Top-xhudiste nga gjashtë vende në kampin që Federata kosovare e organizon në Shqipëri

Shumë xhudiste që vitin e ardhshëm kërkojnë medalje olimpike në Tokio, më vonë këtë muaj do të jenë pjesë e një kampi që e organizon Federata e Xhudos e Kosovës. Kampi i xhudos nuk organizohet si zakonisht në Pejë, por në bregdetin shqiptar.

Xhudoja është goditur seriozisht nga pandemia dhe mbetet sfidë grumbullimi i sportistëve në një vend. Aktualisht xhudistët kosovarë janë në një kamp në Austri. Ata prej 13 deri më 27 dhjetor do të jenë në kampin që organizohet në Golem, e ku nikoqire është Federata e Xhudos e Kosovës. Këtë për KOHËN e ka bërë të ditur trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Javë më parë në Pejë ishte mbajtur një kamp ku morën pjesë edhe xhudiste nga Turqia, Sllovenia, Bullgaria e Çekia. Në Pejë ushtroi i tërë ekipi i xhudisteve të Turqisë, ndërsa nga Sllovenia ishte kampionia olimpike, Tina Trstenjak.

Të tjera xhudiste elitare do të jenë në kampin e FXHK-së në Golem.

“Kampin e ardhshëm e organizojmë prej 13 deri më 27 dhjetor. Në kampin dyjavor pjesëmarrjen e kanë konfirmuar top-shtete të xhudos dhe top-xhudiste. Pasi në Kosovë është më ftohtë në këtë periudhë, kampin këtë herë e organizojmë në Shqipëri”, ka thënë Driton Kuka.

“Izraeli vjen me ekip komplet, pra me 20 xhudiste. Komplet vjen edhe ekipi i Turqisë. Delegacioni i Uzbekistanit po i pret vizat, ndërsa Italia vjen me 4 deri në 6 xhudiste. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe ekipi i Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa natyrisht është edhe ekipi ynë”.

Ekipi i Kosovës po ashtu vlerësohet shumë lart për nivelin që ka arritur. Xhudistet kosovare i fitojnë të gjitha medaljet e mundshme. Sipas Kukës, për këtë periudhë, si pjesë e përgatitjeve për Olimpiadë, zhvillimi i luftërave me xhudiste elitare është kyç për xhudistet e vendit. Pa kampe ndërkombëtare, kjo nuk është e mundur.

“Ka shumë vende të tjera të interesuara për pjesëmarrje, por infrastruktura nuk na mundëson. Asnjë hotel në Shqipëri apo Kosovë nuk ka sallë që do të mund të shfrytëzohej për xhudo. Hotele me salla të tilla ka në Turqi, ku mbahen kampe shumë të mëdha. Në një të tillë ishim ne më herët këtë vit. Megjithatë për këtë numër të garueseve, kemi gjetur një hotel të mirë në Golem, që ofron kushtet që kërkohen. Janë vërtet top-xhudiste, të kualifikuara për Lojërat Olimpike, apo fare pranë normës olimpike. Do të jetë një kamp shumë i fortë, një që i duhet ekipit tonë”, ka theksuar Driton Kuka.

Xhudistet kosovare edhe këtë vit kanë fituar medalje të mëdha, ndonëse kanë pasur edhe telashe me koronavirus. Në Evropianin për seniorë, Distria Krasniqi e Loriana Kuka fituan medalje të bronzta.