Evropiani i vitit të kaluar nuk ishte i zakontë për xhudistët kosovarë. Për shkak të koronavirusit morën pjesë vetëm tri garuese, që megjithatë sollën dy medalje. Këtë herë marrin pjesë gjashtë xhudistë, dhe prapë synohen medalje. Trajneri Driton Kuka pranon se fitimi i medaljeve në Evropian është gjithmonë sfidë. Në vitin olimpik sigurimi i medaljeve në ngjarje të mëdha bëhet edhe më i vështirë
Prishtinë, 11 prill – Pas një përvoje të pazakontë në edicionin e kaluar, xhudistët kosovarë kthehen në ngjarjen kryesore kontinentale me synime të qarta – për të konfirmuar nivelin, për të fituar medalje dhe për të dëshmuar se janë në rrugë të duhur për ngjarjen më të madhe sportive.
Kampionati Evropian i vitit 2021 në xhudo mbahet në Lisbonë të Portugalisë prej 16 deri më 18 prill. Do të garojnë 378 xhudistë nga 45 shtete evropiane. Në mesin e tyre do të jenë edhe gjashtë xhudistë nga Kosova. Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Nora Gjakova e Akil Gjakova janë pretendues për medalje. Laura Fazliu e Flaka Loxha do të kërkojnë suksesin e parë të madh në nivel senioresh.
Evropiani është kampionati i parë i madh prej tri sa janë gjithsej këtë vit për xhudistët. Botërori për seniorë mbahet prej 6 deri më 13 qershor, ndërsa i tërë fokusi është për të arritur formën optimale në Lojërat Olimpike. Gara e xhudos në Olimpiadë është prej 24 deri më 31 korrik. Lojërat Olimpike, të shtyra nga viti i kaluar, mbahen në Tokio të Japonisë. Kosova do të marrë pjesë me të paktën pesë xhudistë në Lojërat Olimpike, të gjithë me normë të fituar.
Por fokusi fillimisht është te Evropiani. Trajneri Driton Kuka ka vendosur që në Lisbonë të mos garojë kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, që do të jetë e koncentruar për Olimpiadë e ndoshta edhe për Botëror.
Por Kosova ka shumë adutë për Evropian. Shumë kandidatë për medalje. Ekipi pritet të udhëtojë i kompletuar.
Ndryshe ishte vitin e kaluar në Evropianin e mbajtur në pjesën e dytë të nëntorit. Xhudistët kishin punuar gjithë vitin për të fituar medalje në Evropian, marrë për bazë që Olimpiada u shty, kurse Botërori nuk u mbajt. Në kohë pandemie, për javë të tëra xhudistët qëndruan të izoluar dhe punuan me ritëm të plotë. Dhe ekipi i xhudos nuk u prek deri vonë nga koronavirusi. Por virusi preku xhudistët në momentin më të keq, pak ditë para udhëtimit për në Pragë, ku u mbajt Kampionati kontinental.
Ishte pritur që në Evropian të garonin nëntë xhudistë. Dhe në fund morën pjesë vetëm tri xhudiste, ndërsa shumë munguan për shkak të infektimit me koronavirus. Madje Akil Gjakova e Nora Gjakova morën rezultatin pozitiv në testimin për COVID-19 në kohën kur po bëheshin gati për të udhëtuar. Ata madje kishin bërë valixhet gati, ishin paraqitur në vendin prej ku ishte bërë nisja dhe në fund u detyruan të ktheheshin në shtëpi.
Evropiani i vitit të kaluar ishte gara më sfiduese për trajnerin Driton Kuka dhe ekipin e tij. Por prapë ishte garë e suksesshme. Distria Krasniqi e Loriana Kuka fituan medalje të bronzta për suksesin më të madh sportiv të vitit të pazakontë. Por shumë medalje i munguan Kosovës për shkak të koronavirusit.
Këtë herë nuk pritet të ketë telashe të lidhura me koronavirusin. Konkurrenca është e fortë, sidomos para Lojërave Olimpike, kur të gjithë xhudistët shfaqin më të mirën.
“Kemi punuar mirë, mendoj se jemi gati dhe të shohim si do të jetë në garë. Lehtë nuk do të jetë, por natyrisht shpresojmë në medalje. Xhudistët tanë kanë cilësi, kjo nuk kontestohet, por të fitohet medalja në Kampionat Evropian asnjëherë nuk është e lehtë”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Kosova në vitet e fundit ka fituar rregullisht medalje në kampionate evropiane për seniorë. Majlinda Kelmendi i ka fituar katër të arta e një të bronztë. Nora Gjakova ka një të artë, një të argjendtë e tri të bronzta. Distria Krasniqi ka një të argjendtë e një të bronztë, ndërsa Loriana Kuka ka fituar dy të bronzta.
Shumë seri të xhudistëve kosovarë kanë nisur në kampionate evropiane. Për një të tillë shpresojnë Akil Gjakova, Laura Fazliu e Flaka Loxha. Të tre kanë fituar medalje me vlerë, por jo në evropianët për seniorë.