Dy kampionet olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, qëndronin në njërën anë të sallës. Pranë tyre ishin xhudistet më të reja të Kosovës, ato prej të cilave priten medalje të mëdha në të ardhmen, si Laura Fazliu, Flaka Loxha, Erza Muminoviq e disa të tjera.
Pos xhudisteve të Kosovës, në sallën e një shkolle në Kavajë ishin edhe dhjetëra xhudiste të vendeve të tjera.
Nuk kishte ndonjë gjë të veçantë ajo sallë. Nuk ka as hoteli në Golem ku vendosen delegacionet e shumë shteteve. I veçantë është niveli i xhudisteve kosovare. Sparingu që ofrojnë ato. Dhe kjo po bën që kampet që Federata e Xhudos e Kosovës po i organizon në Shqipëri të jenë shumë joshëse për xhudistet e vendeve të tjera.
Në dy vjetët e fundit Federata kosovare ka organizuar disa kampe në Shqipëri. Vendosja bëhet në Golem, në një hotel të qetë buzë detit, ndërsa stërvitjet mbahen në Kavajë, disa kilometra larg.
Por pse pikërisht në Golem?

“Klima në Shqipëri është shumë më e mirë dhe e përshtatshme për ushtrime. Edhe pse jemi ende zyrtarisht në dimër, këtu është e butë. Mund të bëjmë edhe stërvitje jashtë që është e rëndësishme në këtë fazë. Kemi pritje të mirë edhe në hotele, por edhe nga vendi ku po i mbajmë stërvitjet, pra në Kavajë”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Kuka është në cilësinë e nikoqirit. Udhëheq stërvitjen, ndërsa me ndihmësin Fatos Tabaku kujdesen që delegacionet e shumta t’i kenë të gjitha në dispozicion.
Të premten, kur ekipi i KOHËS ishte për vizitë, në program ishin dy stërvitje. Stërvitja e paradites ishte e lehtë. Shërbeu edhe për të pritur drejtuesit e Komitetit Olimpik të Shqipërisë dhe të Komunës së Kavajës.
Ndryshe ishte pasdite. Xhudistet kishin luftëra. Pra, ngarkesa ishte maksimale. Pas ngrohjes së zakonshme, luftërat e para ishin ulur. Më pas nisën luftërat e vërteta. Fillimisht në tatami dolën xhudistet e kategorive 48, 52 e 57 kilogramë. Më pas ato të kategorive më të rënda. Dhe kështu ndërroheshin turnet, ndërsa xhudistet bënë shumë luftëra deri në fund.
Në grupin e parë ishin edhe kampionet olimpike. Të gjitha përballjet ato i përfundonin me sukses. Kampi më shumë është i fokusuar te xhudistet e reja, ato që po vijnë. Më shumë u shërben atyre, dhe trajneri Kuka më shumë koncentrohet te ato.
Derisa në pjesën e parë të stërvitjes Kuka duket më i relaksuar, kur nisin luftërat ai është plotësisht i koncentruar te ajo që po ndodh në tatami. Këshillat dhe vërejtjet janë të vazhdueshme. Merret vetëm me xhudistet e Kosovës. Secili trajner merret me xhudistet e tij.
Luftërat janë aq të forta sa lotët nuk mungojnë. Nuk mungojnë as lëndimet pak më serioze. Jo të gjitha përballjet janë vetëm stërvitore. Ndonjëherë kalohet pak kufiri. Por kjo është normale në kampe të tilla.
“Ky kamp është duke na shërbyer jashtëzakonisht shumë, sidomos për gjeneratën e dytë, pas tri kampioneve olimpike Lorianës, Akilit. Pra, është një gjeneratë që po vjen prapa. Në fakt, ky është kamp i vajzave, por në një formë po e rrisin performancën Laura, Fatjona, Erza, Flaka dhe disa garuese të tjera të reja, të cilat po e shijojnë eksperiencën e sparingut me sportiste të nivelit elitar. Normalisht këto të gjitha që i përmenda janë potencial, ndoshta Laura ka mundësi që eventualisht të kualifikohet në Lojërat Olimpike. Po mendoj duhet të kualifikohet. Të katërtat janë potencial për Lojërat Olimpike të ardhshme në Los Angeles, në të cilat kjo gjeneratë është dashur të kulmojë, përfshirë gjeneratën e djemve. Ky kamp më shërben jashtëzakonisht shumë dhe ekipe të tilla cilësore të kemi edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë patjetër që benefiti do të jetë i madh”, ka shtuar Kuka.

Gjetja e kundërshtares
Që gjatë ngrohjes, xhudistet kujdesen për të gjetur kundërshtaret e sparingut. U afrohen xhudisteve të kategorive të përafërta dhe e caktojnë luftën e parë, të dytën, të tretën e kështu me radhë. Ato që nuk gjejnë kundërshtare më herët kujdesen që këtë ta bëjnë mes luftërave. Duar të ngritura lart tregojnë për xhudiste që nuk kanë gjetur ende kundërshtare.
Stërvitja zgjat rreth dy orë dhe xhudistet prej sallës largohen të shpenzuara.
Ka shumë taktizime edhe në zgjedhjen e kundërshtareve. Dhe shumica i shmangin adutët kryesorë me rivalet potenciale.
Një pjesë e mirë e xhudisteve po përgatiten për Evropianin që muajin e ardhshëm mbahet në Sofje të Bullgarisë.
“Viti 2022 ka nisur shumë mirë. Në të dyja garat që kam marrë pjesë, kam fituar dy medalje, një të artë dhe një të argjendtë në kategorinë e re. Ka filluar shumë mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Muajin e ardhshëm e kemi kampionatin evropian dhe shpresoj të kthehem me medalje. Formën e kam shumë të mirë dhe po ashtu edhe përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Po ndihem e fortë. Shpresoj ta kaloj pa lëndime drejt sukseseve të reja”, thotë Distria Krasniqi, kampione olimpike në xhudo.
Distria është shpresë e madhe e Kosovës për medalje edhe në vitet e ardhshme. Por trajneri Kuka pret shumë edhe nga Laura Fazliu dhe të tjerat. Koha që u kushton atyre e dëshmon këtë. Edhe Distria vlerëson se xhudistet e reja po zhvillohen mirë.
“Ka vajza të reja që po punojnë shumë, sidomos në kohët e fundit me ardhjen e Majlindës e kanë vëmendjen më të madhe, sepse Toni është marrë më shumë me ne. Tash këto e kanë Majlindën, Tonin dhe Fatosin. Besoj se pas nesh do të vijnë në skenë edhe shumë emra të tjerë që do të korrin suksese”, ka shtuar Krasniqi.
Në stërvitjen e paradites të së premtes ishin edhe xhudistet e Sllovenisë. Ato e përfunduan kampin të premten në mesditë. Por do të vijnë edhe në kampet e tjera që Federata kosovare do t’i organizojë.
Zbulimi i Shqipërisë përmes xhudos
Trajneri shumë i suksesshëm, Marjan Fabjan, ka vetëm fjalë të mira për kampin. Fabjan është prej ikonave të xhudos. Ka shumë medalje të fituara, duke përfshirë edhe olimpike. Ai madje ka zbuluar Shqipërinë përmes kampeve të xhudos.
“Është hera e tretë në Shqipëri dhe duhet t’i falënderohem Kukës, trajnerit më të mirë në botë. Më duhet të them se më tërheq stërvitja e mirë, kampi i mirë. Kushtet për stërvitje janë të mira, salla është e madhe. Ka shumë partnerë të sparingut. Ka shumë shtete pjesëmarrëse dhe sikur të mos ishte mirë nuk do të vinin. Edhe akomodimi dhe ushqimi janë të mirë dhe vetëm mund të shpreh keqardhje për ata që nuk vijnë këtu”, ka theksuar Fabjan.
Ai ka kohë të gjatë që bashkëpunon me Driton Kukën. Në fillim Kuka ka mësuar prej sllovenit, por tashmë e ka tejkaluar me sukses.
“Me Driton Kukën bashkëpunojmë për kohë të gjatë. Në fillim unë kam ndihmuar më shumë, tani ai më ndihmon pak më shumë. Kështu që bashkëpunimi është bërë tradicional. Unë mendoj se kështu edhe do të vazhdojë. Pasi jam këtu më duhet të them se po ndihem mirë. Sikur mos të vija në Shqipëri nuk do të shihja dhe nuk do të kisha këtë mendim. Këtu çdo vit është më mirë. Çdo gjë ndërron kaq shpejt, ndërtesa të reja. Deti është i mirë dhe të gjithë ata që nuk kanë qenë këtu u propozoi që të vijnë. Pikërisht Durrësi më pëlqen shumë”, thekson Marjan Fabjan.
Pos xhudisteve të Sllovenisë ishin edhe xhudistet më të mira të Holandës. Pjesë e kampit është edhe përfaqësuesja juniore e Francës e po ashtu një klub francez. Janë edhe xhudistet më të mira të Polonisë, pastaj xhudiste nga Çekia, Bullgaria, Azerbajxhani, Kroacia, Britania e Madhe. Madje një xhudiste është edhe nga Dagestani i Rusisë.
“Mendoj se është mundësi e madhe për ne që të ushtrojmë këtu në Shqipëri me ekipin e Kosovës natyrisht. Ishim dy herë më parë në Pejë, ndërsa tani jemi këtu. Çdo herë është një javë e shkëlqyeshme e stërvitjes dhe mundësi e madhe për garueset tona që të bëhen më të mira”, thotë Garmt Zijlstra, trajneri i Holandës.
Kampet në bregdetin shqiptar po dalin efektive për ekipin e xhudos. Rezultatet e dëshmojnë këtë. Dhe përfitimet janë të shumëfishta për të gjithë pjesëmarrësit.
“Kur vjen një reprezentacion nacional elitar i Holandës me 24 garuese, Franca me ekipin e juniorëve që janë superfuqi botërore, Azerbajxhani, Polonia me ekipin nacional, pastaj kemi ekipet si Kroacia, Sllovenia, Anglia, Bullgaria e Çekia. Faktikisht gjatë gjithë kohës ka pasur garues që kanë ardhur dhe kanë shkuar. Por në total kemi 12 ekipe. Përveç fituesve tona olimpike, kemi edhe garuese të tjera olimpike të shteteve të tjera e të mos flas për ato evropiane e botërore. Ndoshta në këtë kamp nuk i kam numëruar, por mund të jenë 15 kampione botërore. Olimpiada është diçka tjetër, por kampione botërore, kadete, juniore dhe seniore ka shumë dhe kjo flet vetë që kemi arritur të grumbullojmë cilësi të madhe”, ka thënë Driton Kuka.
Kampi në Golem përfundon të martën, ndërsa sparingu i fortë pritet të shërbejë për të fituar medalje në ngjarjet e ardhshme, mbi të gjitha në Evropian.