Sport

Kosova prej vitit të ardhshëm, pjesë e Turit Botëror të Xhudos

Kosova ka top-xhudistë botërorë, por ende nuk organizon ndonjë ngjarje të madhe të këtij sporti. Prej vitit të ardhshëm kjo pritet të ndryshojë. Në plan është organizimi i një gare Grand Prix. Garat Grand Prix janë prej më të mëdhave në sportin e xhudos. Përfitimet sportive nga një organizim i tillë vlerësohen të mëdha

Një garë modeste ndërkombëtare e xhudos organizohet të shtunën në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Bëhet fjalë për turneun “Judo for Peace”, të cilin e organizon klubi pejan “Ippon”, përkatësisht klubi ku si trajner punon Driton Kuka e ku ushtrojnë top-xhudistët kosovarë. Në “Judo for Peace” marrin pjesë xhudistë nga Kosova dhe xhudistë nga vende të regjionit. Disa prej tyre janë me potencial për të ardhmen.

“Judo for Peace” aktualisht është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e xhudos që organizohet në Kosovë. Por nuk do të jetë kështu në të ardhmen.

Federata e Xhudos e Kosovës e ka në plan organizimin e një gare Grand Prix. Garat Grand Prix janë prej më të mëdhave në xhudo dhe mbledhin qindra top-xhudistë nga vende të ndryshme botërore. Në Federatë vlerësojnë se përfitimet sportive nga organizimi i një ngjarjeje të tillë janë të mëdha për vendin.

Për mbi një dekadë xhudoja është sporti bindshëm më i suksesshëm në Kosovë. Xhudistët kosovarë, përkatësisht nxënësit e trajnerit Driton Kuka, kanë fituar dhe vazhdojnë të fitojnë medaljet më të çmueshme në sport. Kosova, ndër të tjera, i ka tri medalje të arta olimpike në xhudo. Ka edhe tituj botërore, shumë tituj evropianë, shumë medalje botërore e evropiane. Dhe medalje nga ngjarjet e mëdha vazhdojnë të vijnë. Sa u takon garave Grand Slam dhe Grand Prix, numri i medaljeve të Kosovës është dukshëm më i madh.

Shumë prej vendeve me xhudo të zhvilluar organizojnë gara të rëndësishme të këtij sporti. Kështu planifikon të bëjë edhe FXHK-ja.

“Në kuadër të projektit ‘Kosova, vend i xhudos’, planifikohet organizimi i një gare Grand Prix në vendin tonë, përkatësisht në Prishtinë. Plani është që me Grand Prix të fillohet prej vitit të ardhshëm. Një garë e tillë natyrisht ka kosto financiare dhe jemi në pritje të veprimeve konkrete nga Qeveria. Projekti ‘Kosova, vend i xhudos’ është i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që aplikohet së bashku me Federatën dhe komunat”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Ai thotë se përfitimet nga organizimi i një gare Grand Prix janë të mëdha për Kosovën, sa i takon aspektit sportiv. Kuka thotë se nuk ka pengesa për organizimin e një gare Grand Prix, sa i takon infrastrukturës. Për model pritet të merret gara Grand Prix që organizohet në Zagreb. Kështu Kosova për disa ditë do të ishte qendër botërore e xhudos. Vendin do ta viziton qindra xhudistë, trajnerë e zyrtarë të IJF-së.

“Është projekt serioz dhe ambicioz natyrisht. Në organizimin e një gare të nivelit Grand Prix përfshihen shumë institucione e qindra persona. Por i jep dimension të ri zhvillimit të xhudos në vendin tonë. Ne rezultatet kulmore i kemi, por me organizimin e një ngjarjeje të madhe do të bënim edhe një hap të rëndësishëm”, ka shtuar Kuka.

Organizimi i ngjarjes Grand Prix është vetëm një pjesë e projektit “Kosova, vend i xhudos”. Hapja e palestrave të xhudos në qendrat më të mëdha vlerësohet pika më e rëndësishme. Drejtuesit e FXHK-së tashmë kanë vizituar shumë komuna, ku kanë diskutuar për gjetjen e hapësirës për ndërtimin e sallave të xhudos. Synohet që të popullarizohet xhudoja edhe në vendet ku aktualisht nuk ka shtrirje të duhur.

Pos kampionateve botërore e evropiane, në xhudo garat zhvillohen në turne të ndryshëm. Mastersi vlerësohet gara më e rëndësishme dhe organizohet një herë në vjet. Organizohen pak gara të nivelit Grand Slam. Sivjet janë nëntë gara Grand Slam që mbahen në Paris, Tel Aviv, Antalya, Tbilisi (Gjeorgji), Ulaanbaatar (Mongoli), Budapest, Abu Dhabi, Baku e Tokio. Mastersi mbahet në Jerusalem, ndërsa garat Grand Prix, që janë nivel më i ulët se Grand Slamet, sivjet mbahen në Portugali dhe Kroaci. Pandemia ka çrregulluar paksa orarin e garave të xhudos dhe aktualisht ka terminë për gara Grand Prix e Grand Slam. Këtë situatë pritet ta shfrytëzojë Federata kosovare. Garat Masters, Grand Slam dhe Grand Prix formojnë turin botëror të xhudos “IJF World Tour”. Me shumë mundësi pjesë e tij prej vitit të ardhshëm do të jetë edhe Kosova.