Sport

Sadiku në prill lufton për kualifikim në “Tokio 2020”

Më 22 prill të vitit të ardhshëm boksierja kosovare Donjeta Sadiku do të nisë garën për të siguruar vend në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Turneu kualifikues i boksit për Lojëra Olimpike do të nisë më 22 prill, një vit pasi ishin ndërprerë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Tre ditët e kualifikueseve evropiane ishin mbajtur në mars në Londër para se kriza e madhe e pandemisë të çonte në ndërprerjen e saj dhe të shtynte edhe Lojërat Olimpike për 2021.

Tani, ato do të mbahen nga 22 deri më 26 prill.

Turnetë në Afrikë e Azi ishin kompletuar. Ato amerikane do të mbahen në qershor. Lojërat Olimpike do të hapen në Tokio më 23 korrik.

Shorti origjinal do të vazhdojë aty ku ishte, duke nënkuptuar që 16 boksierë që tashmë kanë siguruar vendin në Tokio nuk do të preken nga ndryshimet. Rreth 176 boksierë nga Evropa janë në garë në tetë kategori të meshkujve dhe pesë të femrave. Tek femrat janë 27 vende të lira, e 50 te meshkujt.

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku është në këtë garë. Ajo kishte nisur me fitore turneun duke mposhtur një boksiere nga Gjermania, në kategorinë deri në 60 kilogramë, në fillim të rrugës për “Tokio 2020”.