Sport

Kthimi te fitorja, synimi i Ballkanit e Prishtinës për derbi

Humbja e parë këtë edicion për Ballkanin ka lënë shije të hidhur tek ekipi nga Suhareka, i cili qysh në ndeshjen e radhës kërkon të kthehet te fitorja.

Ballkani vikendin e shkuar në Mitrovicë pësoi humbje befasuese nga Trepça ’89 (4:3), ndonëse ishte në epërsi prej tre golave deri në minutën e 60-të. Për Ballkanin ishte disfata e parë këtë edicion, pas një serie prej shtatë ndeshjesh pa humbje ku kishte regjistruar gjashtë fitore dhe një barazim. Pavarësisht humbjes, Ballkani mbetet lider i Superligës me 19 pikë dhe ndeshjen e radhës e luan në shtëpi kundër Prishtinës, që edhe është derbi i xhiros së nëntë.

Ndeshja Ballkani – Prishtina luhet të mërkurën (sot) dhe nis në orën 14:00. Prishtina ka tetë pikë më pak se Ballkani, i cili ka edhe një ndeshje më shumë të zhvilluar. Prishtina renditet e katërta kurse në derbi futet pas humbjes që e pësoi në xhiron e shkuar në shtëpi nga skuadra e Gjilanit (2:0).

Te Ballkani e kanë parasysh se Prishtina nuk do të udhëtojë në Suharekë me “flamur të bardhë” por mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, insiston se janë të vendosur që të kthehen menjëherë te fitorja duke harruar tashmë humbjen nga Trepça ’89.

Dueli me Prishtinën do të jetë i veçantë për Thaqin, i cili para fillimit të këtij edicioni u largua nga ekipi bardhekaltër ku edhe ishte kapiten, për ta vazhduar karrierën te Ballkani.

“Pas rezultatit zhgënjyes në Mitrovicë dhe asaj që na ndodhi, ne duhet menjëherë të kthehemi te rezultatet pozitive dhe atë qysh në ndeshjen e radhës, të cilën e luajmë kundër Prishtinës. Atë humbje tashmë e kemi harruar dhe po mendojmë për duelin me Prishtinën”, është shprehur Thaqi të martën për KOHËN. “Me Prishtinën na pret një ndeshje shumë e vështirë, por ne luajmë në shtëpi dhe duhet të japim gjithçka nga vetja për fitore. Duhet të gjejmë mënyrën të kthehemi te fitorja në këtë ndeshje dhe natyrisht që nuk do të jetë e lehtë, por do të dëshmojmë në fushë se jemi ekip që ka synime të mëdha. Kështu që besoj në fitore”.

Ndeshje të vështirë kundër Ballkanit presin te skuadra e Prishtinës. Këtë e ka pranuar edhe trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani. Prishtina këtë edicion nuk ka startuar mirë pasi në shtatë ndeshje ka vetëm tri fitore, karshi dy barazimeve dhe dy humbjeve. Ramadani ka thënë se pret një ndeshje të fortë që në çdo aspekt do ta arsyetojë epitetin e derbit të kësaj xhiroje dhe, sipas tij, një detaj i vogël mund ta përcaktojë fituesin.

“Sa është vështirë për ne, aq vështirë do të jetë edhe për Ballkanin. Jemi skuadra që kemi të njëjtat pretendime dhe që të dyja vijmë pas humbjeve në xhiron e fundit. Kjo bën që si Prishtina ashtu edhe Ballkani të jenë maksimalisht të motivuar për këtë duel, që pritet të jetë një derbi i vërtetë në çdo aspekt. Mund një detaj i vogël ta vendosë ndeshjen, pasi dihet që nuk do të jetë aspak e lehtë. Ballkani ka treguar ndeshje të mira dhe besoj se do të jetë një ndeshje e mirë gjithashtu”, është shprehur Ramadani që është treguar i matur para ndeshjes.

Nën hijen e këtij derbi, të mërkurën (sot), do të zhvillohen edhe dy duele tjera të kësaj xhiroje. Në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj skuadra e Drenicës e pret Trepçën ’89, që në katër ndeshjet e fundit nuk di për humbje duke regjistruar dy fitore dhe dy barazime. Në krye të Drenicës do të debutojë trajneri nga Shqipëria, Bledar Devolli, që të hënën mori drejtimin e ekipit pas largimit të Fadil Ramës.

Ndërsa skuadra e Gjilanit e pret në shtëpi Besën e Pejës, ekip që në dy ndeshjet e fundit ka barazuar me Feronikelin (1:1) dhe Llapin (2:2).

Superliga – IX

E martë

Arbëria – Drita 0:1

(Shënues: B. Shabani 44’)

Feronikeli – Llapi 1:0

(Shënues: Hoxha 53’)

E mërkurë (14:00)

Drenica – Trepça ‘89

(Arbitra: A. Shala, G. Hyseni, E. Bicaj, B. Ajeti)

Gjilani – Besa

(Arbitra: B. Jahmurataj, L. Muhadri, B. Këpuska, B. Kasumi)

Ballkani – Prishtina

(Arbitra: D. Çaka, A. Ejupi, G. Mehmeti, M. Bejtullahu)

1. Ballkani 8 6 1 1 24:10 19

2. Drita 7 5 1 1 11:5 16

3. Gjilani 8 3 4 1 6:5 13

4. Prishtina 7 3 2 2 10:5 11

5. Arbëria 9 3 2 4 10:11 11

6. Trepça ’89 8 3 2 3 7:8 11

7. Feronikeli 9 2 4 3 12:10 10

8. Drenica 8 2 2 4 6:16 8

9. Llapi 8 1 2 5 5:9 5

10. Besa 8 1 2 5 8:20 5