Sport

Liria kërkon kompensim nga Lazio për Muriqin

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Transferimi i Vedat Muriqit te Lazio nga Fenerbahçe e ka shtyrë edhe klubin amë të tij, KF Lirinë që të kërkojë kompensim për këtë transferim.

Liria i është drejtuar zyrtarisht Lazios, me ç’rast i ka kërkuar të përfshihet në shumën që i takon në këtë transfer sipas rregullores mbi transferimin e lojtarëve.

“Dëshirojmë t'iu informojmë paraprakisht se futbollisti Vedat Muriqi, është një lojtar që është rritur dhe zhvilluar si futbollist nga akademia e shkollës sonë të futbollit. Vedati Muriqi, ka luajtur në klubin tonë për herë të parë si një futbollist profesional (bashkangjitur ju keni kontratën e tij me klubin tonë të verifikuar nga Federata e Futbollit të Kosovës) për të vazhduar karrierën e tij të bujshme në Shqipëri dhe më pas në Turqi”, thuhet ndër të tjera në letrën e kreut të KF Lirisë, Qemal Krasniqi, drejtuar Lazios.

Tutje thuhet se, “pas konsultimeve me Federatën tonë të Futbollit dhe njohës të mirë të rregullave të FIFA-s po ju shkruajmë zyrtarisht, që gjatë procedurave të transferimit për lojtarin midis SS Lazio dhe Fenerbahçe SK, duhet të merrni parasysh gjithashtu kompensimet për klubin tonë gjithmonë sipas rregullave të parashikuara nga FIFA”.

Si provë që lojtari në fjalë është rritur dhe doli si futbollist nga Liria, klubi prizrenas ofron këto prova:

1. Kontrata profesionale e lojtarit me klubin tonë

2. Pasaporta e lojtarit, lëshuar nga Federata e Futbollit e Kosovës

3. Letër konfirmimi nga Federata e Futbollit e Kosovës.

“Shpresojmë që ju të merrni në konsideratë kërkesën tonë zyrtare, dhe duke përdorur personat kompetent për transferime nga klubi juaj, përveç detyrimeve të transferimit për KF Fenerbahçe, të përmbushni edhe detyrimet e parashikuara nga rregullat e FIFA-s për Klubin tonë”, thuhet në letrën e KF Lirisë.

Për shërbimet e Muriqit, Lazio ka paguar 18 milionë euro.