Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klubet përgatiten për shtyrje të sezonit, FFK-ja për të nisur më 12 shtator

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Disa klube kanë udhëtuar jashtë Kosovës e disa ende nuk kanë vendosur se ku do ta përfundojnë fazën e fundit përgatitore për edicionin e ri, 2020/2021. Vendimin për udhëtim në bregdetin shqiptar klubet e kanë marrë me të vlerësuar se sezoni i ri nuk do të nisë më 12 shtator, ashtu siç e ka paraparë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Klubet kosovare janë përgatitur për shtyrje të sezonit, por jo edhe FFK-ja. Është kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ai që insiston se kampionati fillon më 12 shtator, nëse nuk ka ndonjë ndalesë nga Qeveria e Kosovës.

“Kampionati fillon më 12 shtator, nëse nuk e ndalon Qeveria”, ka thënë Ademi shkurt për KOHËN të hënën.

Por në fakt, Qeveria ende nuk ka dhënë leje për fillimin e edicionit të ri shkaku i pandemisë së koronavirusit. Madje nuk ka lejuar edhe stërvitjet, ndonëse ato nuk i kanë ndalur për asnjë moment klubet.

Pos klubeve, shtyrja është e pashmangshme edhe për Bordin Këshillëdhënës për COVID-19, që kryesohet nga mikrobiologu Lul Raka.

Një nga klubet që nuk i ka ndërprerë stërvitjet si në Kosovë e tash në Shqipëri është Llapi i udhëhequr nga Tahir Batatina. Batatina thotë se ka informata që kampionati është shtyrë për 18 shtator.

“Sipas informatave që kam, do të shtyhet fillimi i edicionit deri më 18 shtator. Por, nëse shtyhet edhe pas 18 shtatorit, atëherë do të prishet gjithçka, sepse ne dalim nga pjesa profesionale. Kemi bërë planprogramin e fillimit të kampionatit dhe do të humbim pjesën profesionale, pasi pa lojë vetëm me përgatitje nuk mbahet skuadra, sepse humb motivi i lojtarëve dhe kalon në joprofesionalizëm”, ka thënë Batatina.

Edhe Në futboll shtyhet fillimi i edicionit, në sportet e tjera rritet presioni për lejim të aktiviteteve Sport Në futboll shtyhet fillimi i edicionit, në sportet e tjera rritet presioni për lejim të aktiviteteve

Bordi Këshillëdhënës për COVID-19 ka miratuar kërkesën e Komitetit Olimpik të Kosovës që të lejojë stërvitjet për sportistët elitarë që kanë siguruar normë olimpike dhe për ata që kanë gjasa të sigurojnë normën. Po ashtu janë lejuar stërvitjet për klubet që kanë siguruar kualifikimin në garat evropiane.

Me masat e reja të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19 janë ndaluar aktivitetet sportive. Përjashtim bëjnë vetëm disa nga sportet individuale.

Por KOK-u kishte kërkuar të lejohet stërvitja edhe te sportet e tjera. Bordi ka dhënë pëlqimin, por nuk ka vendim të ri nga Qeveria. Sportistëve elitarë u janë rekomanduar testime të rregullta për COVID-19.