Transferimi i basketbollistit gjeorgjian Tornike Shengelia te klubi i madh rus, CSKA Moska, ka ngjallë reagime të shumta. Transferimi i tij është vlerësuar i papërshtatshëm për shkak të raporteve mes dy vendeve, Rusisë e Gjeorgjisë.
Ndër të tjera ka reaguar edhe presidenti i Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, që ka thënë se kalimi i kapitenit të Gjeorgjisë te klubi rus është i papranueshëm dhe për keqardhje.
Gjeorgjia pretendon se Rusia ka okupuar 20 për qind të territorit të saj.
Shengelia 28-vjeçar, është nga Tbilisi. Ka luajtur për Valencian në Spanjë, Spirou Charleroin dhe Verviersin në Belgjikë. Në NBA ka luajtur për Brooklynin dhe Chicagon, kurse ishte edhe në D-League në SHBA. Prej vitit 2014 deri më tani ka luajtur për Baskonian në Spanjë.
Federata e Basketbollit të Gjeorgjisë ka thënë se “Tornike gjithnjë ka mbrojtur interesat e vendit të tij, pavarësisht se cilit klub i ka takuar”.
Vet basketbollisti ka thënë se kalimi në klubin rus nuk do të ndryshojë asgjë në qëndrimin e tij ndaj Gjeorgjisë. Ai shpreson se edhe qëndrimi i gjeorgjianëve ndaj tij mos të ndryshojë.
Edhe
Shengelia largohet nga CSKA-ja e Moskës
“Unë kam qenë dhe jam gjeorgjian në çdo vend”, ka thënë Shengelia.
Gjeorgjia ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë në vitin 2008, kur Rusia pranoi pavarësinë e dy krahinave separatiste në Gjeorgji, Osetisë Jugore dhe Abkhazisë.
Kalimi i basketbollistit në Rusi është pritur rëndë në opinionin në Gjeorgji.