Sport

Kuka kërkon që nga 1 qershori të fillojnë stërvitjet për të gjitha sportet

Foto: Driton Paqarada / Koha

Seleksionuesi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka kërkuar që nga 1 qershori të rifillojnë stërvitjet për të gjitha sportet.

Përmes një postimi në Facebook, Kuka ka thënë se kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, duhet të takohen me ministrin në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia dhe IKSHPK-në dhe të vendoset për stërvitjet në të gjitha sportet.

Sipas tij, me dhjetëra mijëra të rinj në Kosovë po prisnin 1 qershorin për rifillimin e stërvitjeve!

“Ministrja Dumoshi e Kryetar i KOK Besim Hasani qysh sonte takim me Ministrin Vitia e IKSHP se klubet po shuhen, a e dini sa luan rol sporti në shëndetin mental të fëmijëve! E pabesueshme kjo punë!
Kosova s’paska sporte tjera përveç futbollit”, ka thënë ai, duke kërkuar që sonte të merren masa.

Ai ka thënë se stërvitjet duhen vazhduar qysh nesër.

“Kemi dërguar si federatë protokolet e punuara me zell e përkushtim për rifillimin e klubeve të xhudos por askush asnjë veprim konkret”, ka shtuar ai.

Vitia sot në konferencë ka thënë se njëherë do të vazhdohen stërvitjet për klubet e supërligës në futbollin e Kosovës, duke shtuar se klubet tjera kanë treguar mirëkuptim.

“Njëherë do të vazhdohen stërvitjet për klubet e super ligës në futbollin e Kosovës. Kurse një pjesë e madhe e aktiviteteve sportive kanë treguar mirëkuptim qysh nga fillimi si federata e basketbollit, hendbollit dhe sportet tjera të cilat kanë hequr dorë që në kohë pandemie të mbahen stërvitjet dhe gara”, ka thënë ai.