Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi vazhdon sot seancën konstituive, në rend dite zgjedhja e nënkryetarëve

Dhjetë ligje në një seancë

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot, ndërsa në rend të ditës është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca është thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas dështimit të votimit të Vlora Çitakut në seancën e së premtes.

 Deputetët e LVV-së abstenuan në votimin për kandidaten e PDK-së, duke bërë që ajo të mos marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi arriti të zgjedhë Ardian Golën nga LVV në pozitën e nënkryetarit.

Pas dështimit të votimit të Çitakut, PDK vendosi të mos marrë pjesë në seancat e mëtejshme konstituive të Kuvendit, duke paralajmëruar se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Pak orë më vonë u thirr edhe një seancë tjetër brenda së njëjtës ditë, por deputetët e PDK-së nuk morën pjesë.

Në anën tjetër, LDK deklaroi se nuk mund të hidhet në votim kandidatura e Kujtim Shalës pa u votuar paraprakisht kandidatura e PDK-së, duke kërkuar që procesi të zhvillohet sipas radhës.

Megjithatë, mbrëmjen e së dielës, LVV përmes një deklarate njoftoi se do t’i votojë të dy kandidatët për nënkryetarë, Vlora Çitakun e PDK-së dhe Kujtim Shalën e LDK-së.

Nga LVV kanë shprehur shpresë se zgjedhja e nënkryetarëve do të mundësojë vazhdimin e procesit institucional dhe nuk do të paraqesë pengesë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Seanca e sotme është caktuar të nisë në orën 10:00.

Mbetet të shihet nëse PDK dhe LDK do të marrin pjesë në të dhe nëse Kuvendi do të arrijë të përmbyllë zgjedhjen e nënkryetarëve.