Sport

Wolfsburgu me fitore të thellë në Leverkusen

Bayer Leverkuseni ka pësuar humbje të thellë në shtëpi për të humbur hapin në garë për kreun në Bundesligë.

Leverkuseni të martën mbrëma pësoi 4:1 nga Wolfsburgu, në kuadër të xhiros së 28-të të kampionatit gjerman të futbollit.

Kroati Marin Pongraçiq ka realizuar dy gola për Wolfsburgun, ndërsa nga një gol e shënuan Maximilian Arnold e Renato Steffen.

Julian Baumgartlinger realizoi golin për Leverkusenin në minutën e 86-të.

Leverkuseni është në vend të katërt me 53 pikë. Wolfsburgu renditet i gjashti me 42 pikë. Wolfsburgut në këtë ndeshje për shkak të një lëndimi i mungoi Admir Mehmedi.

Dy ndeshjet tjera të luajtura të martën mbrëma nuk kanë dhënë fitues.

Eintracht Frankfurti barazoi 3:3 me Freiburgun, ndërsa Werder Bremeni luajti pa gola me Borussia Moenchengladbachun. Kështu Werderi ku luan Milot Rashica ka bërë hap prapa në garën për ekzistencë. Renditet i parafundit me 21 pikë.

Rashica prapë nuk ka kompletuar ndeshjen. Është zëvendësuar në minutën e 86-të. Amir Abrashi ka luajtur deri në minutën e 87-të për Freiburgun.

Vincenzo Grifo, Nils Petersen e Lucas Hoeler shënuan golat për Freiburgun, ndërsa Andre Silva, Daichi Kamada e Timothy Chandler shënuan për Frankfurtin. Në minutën e 69-të Freiburgu kaloi në epërsi 3:1, por në minutën e 79-të dhe 82-të, Frankfurti shënoi për të marrë një pikë.

Të mërkurën janë pesë ndeshje tjera të Bundesligës.