Sport

Dallku: Fusha ishte e tmerrshme

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku e ka vlerësuar të tmerrshme gjendjen e fushës në stadiumin në Gjilan ku pësoi 2:1 të dielën nga Drita.

Ndeshja i takoi xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në futboll.

“Nuk dua të justifikohem, por në këtë fushë nuk luhet futboll, kjo vlenë për dy skuadrat. Nuk krijuam raste sepse fusha ishte shumë e baltosur dhe më vjen keq për lojtarët. Këtu ishte punë fati, ata kishin fat dhe fituan ndeshjen. Për futboll këtu nuk mund të flasim”, ka thënë Dallku për “SSK” pas ndeshjes, transmeton Koha.net.

Kastriot Rexha (7’) dhe Astrit Fazliu (77’) shënuan golat për Dritën, ndërsa për Prishtinën golin e vetëm e realizoi Otto John (69’).

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka përgëzuar karakterin e lojtarëve të tij. Drita i është kthyer fitoreve, pas humbjes që pësoi xhiron e kaluar nga Ballkani.

“Lojtarët treguan karakterin e tyre, më vjen mirë për reagimin e tyre dhe shpirtin luftarak që treguan, pas humbjes që pësuam nga Ballkani. Sot fituam me plotë meritë, por dua të falënderoj edhe tifozët që ishin fantastik. Për fushën dua të them se stafi ka bërë maksimumin, por kishte reshje shiu gjatë gjithë natës dhe e bënë të veten”, ka thënë Nuhiu.

Drita pas 22 ndeshjeve zë vendin e dytë me 43 pikë, një më pak se lideri Ballkani. Ballkani të hënën luan në udhëtim ndaj Flamurtarit.

Prishtina ndërkohë gjendet në vend të katërt me 41 pikë, sa i ka edhe Gjilani që zë vendin e tretë.