Sport

Kriza e Werderit prek edhe Rashicën

Descriptive Text

Werder Bremeni është pjesë e një gare të fortë për të shmangur rënien nga Bundesliga e Gjermanisë në futboll. Skuadra aktualisht renditet e 16-ta me 17 pikë nga 20 ndeshje.

Prapa ka vetëm Fortuna Duesseldorfin dhe Paderbornin. Werderi po ka telashe për të tejkaluar krizën e rezultateve, ndërsa ajo ka prekur edhe yllin e skuadrës dhe të përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica. Kështu të paktën ka shkruar të hënën mbrëma gazeta e madhe gjermane, “Bild”.

Rashica 23-vjeçar është bindshëm lojtari më i mirë i Werderit këtë edicion. Ka shtatë gola e tri asistime në 16 paraqitje në Bundesligë. Pesë ndeshjet e fundit i ka kompletuar, por nuk ka dhënë kontribut me gol apo asistim. Kjo është ndier në rezultatet e Werderit, që ka katër humbje e një fitore në pesë ndeshjet e fundit në kampionatin gjerman, shkruan sot Koha Ditore.

Te Werderi vlerësojnë se Rashica nuk ishte sa duhet i përfshirë në ndeshjet e fundit.

“Miloti është një lojtar që duhet të nxirret në skenë. Ne duhet t’i ofrojmë atij pozita më të mira në fushë. Por edhe ai duhet të tregojë më tepër dëshirë për të pasur topin në pronësi”, ka thënë trajneri i Werderit, Florian Kohfeldt.

Rashica është shpresë e madhe e Kosovës për sukses në ndeshjet e plejofit për kualifikim në Evropian, që janë në fund të marsit. Por është edhe shpresë e Werderit për gola e asistime në tentim për të mbetur në Bundesligë e, po ashtu, për të fituar dhjetëra miliona në verë, nëse vendos ta shesë atë. Sipas “Bildit”, Werderi synon të marrë 40 milionë euro nga Rashica, nëse vendos ta shesë atë. Por gazeta gjermane shkruan se nëse rënia në formë vazhdon në mënyrë konstante, kjo shifër mund të harrohet nga klubi gjerman.

Ka arsye për optimizëm te Werderi, megjithatë. Forma fizike e Rashicës është shumë e mirë dhe kjo gëzon trajnerin. Ai më herët ka pasur telashe me lëndime që i kanë ndikuar në formë. Por tashmë i ka tejkaluar telashet fizike.

“Ai jep çdo gjë nga vetja. Në Duesseldorf ishte lojtari që vrapoi më së shumti në skuadrën tonë. Ky trend ka vazhduar edhe në ndeshjet e tjera”, ka thënë trajneri Kohfeldt.