Letra “pa autor” e MKRS-së rrit tensionin në Federatën e Futbollit Foto: Koha

Letra “pa autor” e MKRS-së rrit tensionin në Federatën e Futbollit

Arsim Maxhera Arsim Maxhera 03 December 2019 08:29

Një letër e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që mund të jetë shkruar pa dijeninë e ministrit, ka shtuar mjegullën në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe rreth saj.

Të hënën është bërë publike një përgjigje që MKRS-ja ia ka kthyer Bajram Zeqirit, i cili nga Departamenti Ligjor i MKRS-së kishte kërkuar sqarim lidhur me mandatin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi. Kështu është hedhur dritë mbi zhvillimet e ditëve të fundit, që kryesisht ishin zhvilluar në hije, përkatësisht larg syve të opinionit, shkruan sot Koha Ditore.

Pas opinionit ligjor të MKRS-së, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti, ka pranuar se pretendon të marrë drejtimin e Federatës sportive dukshëm më të madhe në vend.

Tashmë “lufta” po zhvillohet për atë nëse FFK-ja do të mbajë kuvend zgjedhor gjatë janarit ose më vonë gjatë vitit të ardhshëm apo kryetari aktual Agim Ademi do të udhëheqë deri në vitin 2022. Ahmeti pretendon se kuvendi duhet të mbahet në janar, ndërsa në FFK vlerësojnë se Agim Ademi ka mandat legjitim deri në korrikun e vitit 2022.

Opinioni ligjor i Departamentit Ligjor të MKRS-së thotë se ka pasur shkelje me rastin e zgjedhjes së Agim Ademit në postin e kryetarit të FFK-së, më 6 korrik të vitit 2018. Interpretimi ligjor ka të bëjë me mosrespektim të afateve e nuk merret me kohëzgjatjen e mandatit të Ademit.

Opinioni ligjor i MKRS-së, përkatësisht letra e këtij institucioni, është bërë publik nga media që besohet se janë të afërta me Ahmetin. Nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, por as nuk është mohuar pasi është publikuar ajo. Gazeta ka kontaktuar me MKRS-në, ndërsa zyrtarë të saj nuk kanë folur për letrën. Përgjigje nuk ka dhënë as zyra për shtyp e po ashtu nuk është përgjigjur as Xhevat Bajrami, drejtor i Departamentit Ligjor. Letra e publikuar është e protokolluar, ka datën 2 dhjetor dhe nënshkrimin e një zyrtari në vulën e protokollit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme