Supertalenti norvegjez, Erling Haaland, ka hyrë në histori të Ligës së Kampionëve me debutimin e jashtëzakonshëm.
19-vjeçari, që njihet për nëntë golat në fitoren e Norvegjisë U20 ndaj Hondurasit në Botërorin e sivjetmë, ka realizuar tre gola në pjesën e parë ndaj Genkut në kuadër të Grupit E në Ligën e Kampionëve. Rezultati pas pjesës së parë është 5 me 1.
Me vetëm 19 vjet e 58 ditë, Haaland u bë lojtari i tretë më i ri që shënon hat-trick në Ligën e Kampionëve pas Raulit me 18 vjet e 113 ditë më 1995 dhe Wayne Rooneyt me 18 vjet e 340 ditë më 2004, raporton "Opta".
Haaland u bë po ashtu lojtari i tretë që debutoi me gol në dy minutat e parë në Ligën e Kampionëve, pas Andreas Mollerit më 1995 dhe Eliaquim Mangalas më 2009.
Ai u kthye edhe në adoleshentin e parë që ka shënuar më shumë se një gol në debutim që kur Rooney realizoi tre gola për Manchester Unitedin ndaj Fenerbahçes më 2004.