Ruiz Jr. ka nënshkruar kontratën për rimeç me Joshuan

Ruiz Jr. ka nënshkruar kontratën për rimeç me Joshuan

13 August 2019 11:52

Promotori Eddie Hearn ka insistuar se meçi mes Anthony Joshuas dhe Andy Ruiz Jr. do të mbahet më 7 dhjetor në Arabinë Saudite, me gjithë kontroversitetin rreth lokacionit të zgjedhur dhe po ashtu raportimeve se Ruiz ka kërkuar më tepër para.

“Me gjithë lajmet e rrejshme, mund të them se të dy boksierët kanë nënshkruar kontratën dhe federatat botërore e kanë aprovuar ngjarjen. Stadiumi i ri po ndërtohet në Diriyha, në periferi të Riyadhit për 12 deri 16 mijë shikues. Do të jetë një ngjarje spektakolare”, ka thënë promotori i Joshuas, Eddie Hearn.

Të hënën është mbajtur një konferencë për media për rimeçin mes Joshuas dhe Ruiz Jr., që do të jetë i vlefshëm për titujt WBA, WBO, IBF dhe IBO në peshën e rëndë në boksin profesionist.

Konferenca u mbajt në hotelin Savoy në Londër, hotel në pronë të sauditëve, por pa praninë e boksierëve, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. Konferenca u mbajt përkundër raportimeve se Ruiz Jr. ka kërkuar më tepër para për përballje me Joshuan dhe po ashtu kritikave për zgjedhjen e Arabisë Saudite si lokacion, duke marrë parasysh shkeljet e të drejtave të njeriut atje dhe vrasjen e gazetarët kritik të Qeverisë.

Joshua e humbi përballjen e parë të zhvilluar në “Madison Square Garden” të New Yorkut më 1 qershor, me ndërprerje në raund të shtatë.

“Po ne po shikonim të ktheheshim në New York ku Joshua humbi titujt, po ashtu opsion ishte Cardiffi, Katari e Dubai dhe po ashtu vende të tjera, por organizimi dhe paraja në Arabi Saudite do të ndryshojë boksin përgjithmonë”, ka thënë Hearn. “Ne po ashtu mund të rrisim boksin në pjesët e tjera të botës. Nuk është e drejtë të mendojmë për sportin vetëm në Britani e SHBA. Kur ne e kuptuam se Arabia Saudite e kishte seriozisht për boksin, ne shikuam anën logjistike dhe kjo na impresionoi. Shikoni ngjarjet që janë mbajtur atje më herët. Formula 3, European Golf Tour, Superkupa e Italisë, WWE. Do të jetë një moment ikonik për boksin. Do të shikojë me kureshtje gjithë bota këtë meç”.

Hearn ka treguar se po ndërtohet një stadium i ri i hapur vetëm për këtë meç.

“Ne jemi duke folur për një stadium me 12 mijë, por ndoshta do të na duhen 15 apo 16 mijë ulëse”, ka thënë Hearn.

Raportohet se Ruizit i janë garantuar së paku nëntë milionë dollarë për këtë meç.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme