Sport

Rexha e Zeka të lumtur për fitoren, tregojnë kujt iu dedikojnë golat

Kastriot Rexha e Mevlan Zeka ishin heronjtë e Feronikelit sonte në fitoren e vështirë ndaj Santa Colomas së Andorrës.

Në “Fadil Vokrri” Feronikeli arriti të përmbyste rezultatin me një lojtar më pak në fushë, pasi Ylli Hoxha ishte ndëshkuar me të kuq pak minuta pas përfundimit të pjesës së dytë, transmeton Koha.net.

Kastriot Rexha, që shënoi golin e fitores 2-1, u shpreh shumë i lumtur për këtë fitore, derisa golin ia dedikoi familjes së tij.

“Jemi maksimalisht të kënaqur me këtë fitore. Falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin për mbështetjen që na dhanë. Kjo ishte një fitore për tifozët e Feronikelit dhe gjithë Kosovën”, ka thënë Rexha.

Feronikeli me fitore historike, arrin ndeshjet kualifikuese në Ligën e Kampionëve

Sulmuesi tutje shtoi se skuadra sonte tregoi karakter.

“Skuadra ka treguar karakter, pasi edhe kur kemi qenë me një lojtar më pak në fushë dhe në disavantazh ne nuk jemi demotivuar. Nuk u dorëzuam dhe në fund e arritëm fitoren. Këtë gol ia dedikoj familjes time dhe i falënderoj për përkrahjen që më japin gjithnjë”, u shpreh Rexha.

E i kënaqur me fitoren ishte edhe golashënuesi tjetër, Mevlan Zeka, që shënoi një supergol sonte.

“Urime të gjithë sportdashësve kosovarë, ‘Tigrave’, dhe të tjerëve. E falënderoj trajnerin për besimin dhe besoj se edhe unë dhashë më të mirën nga vetja”, u shpreh Zeka.

Ai tutje ka komentuar edhe ndeshjen e radhës ndaj klubit uellsian, TNS.

“Ndeshjen e ardhshme e kemi një komoditet më të madh pasi luajmë dy ndeshje, vajtje – ardhje”, tha Zeka.

Zeka golin iu dedikoi dy personave që më nuk janë në mesin tonë.

Këtë gol ia dedikoj babait tim që më nuk është në mesin tonë dhe Triumf Shabanit”, u shpreh Zeka.