Sport

Conte: Interi s’ka limite

Trajneri i ri i Interit, Antonio Conte beson se skuadra e tij nuk ka limite, derisa ka shpjeguar se pse Interi e zgjodhi atë për ta udhëhequr skuadrën.

Conte ka fituar tri herë Serie A gjersa ishte pjesë e Juventusit, dhe 49 vjeçari beson se të njëjtën mund ta arrijë edhe me Interin, transmeton Koha.net.

“Rezultatet që kam marrë dhe shpejtësia me të cilën i kam arritur kanë ardhur tek unë me një imazh të caktuar. Unë krijoj pritshmëri, kur filloj një aventurë të re klubi pret shumë prej meje. Lojtarët kanë besim se do të përmirësohen, dhe tifozët presin kënaqësi të mëdha. Kjo nënkupton se unë duhet të vlerësoj zgjedhjet e mia me shumë kujdes”, ka thënë Conte për GQ.

Ai ka shtuar se mund ta pranojë edhe nëse ka pak shanse që ta fitojë titullin në sezonin e parë, madje edhe nëse ka shanse vetëm 1 për qind.

“Gjëja e parë që do t’u them lojtarëve është që s’kanë limite. Interi është një klub ambicioz, ku secili po shkon në drejtim të njëjtë”, është shprehur Conte.