Ylli i Golden State Warriors, Stephen Curry, është bërë rekordmen për treshe të realizuara në plejof në NBA.
Fundori kaloi Ray Allenin në këtë listë të shtunën mbrëma në “Oracle Arena”, në fitoren 124:101 të kampionit në fuqi, Golden State ndaj LA Clippersit, në ndeshjen e parë të raundit të parë të plejofit.
Curry u fut në këtë përballje me shtatë trepikësha prapa Allenit, por fituesi i dyfishtë i çmimit MVP të NBA-së e kaloi Allenin në çerekun e tretë të ndeshjes, duke realizuar treshen e tetë në ndeshje dhe duke arritur në shifrën e 386 tresheve në ndeshje të plejofit.
“Është shumë e veçantë. Sa herë që kalon një rekord të Ray Allenit dhe Reggie Millerit është e veçantë. Unë kam gjuajtur shumë trepikësha, kështu që kam realizuar edhe shumë”, ka thënë Curry pas ndeshjes, shkruan ESPN, transmeton “Koha Ditore”.
Allen ka realizuar 385 treshe në plejof gjatë 18 vjetëve karrierë në NBA, ku në 11 prej tyre skuadrat e tij kanë arritur në plejof. Curryt i kanë mjaftuar vetëm dhjetë stinorë karrierë dhe shtatë arritje në plejof për të thyer rekordin.
“Është e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh se ai disi tash është në kulm të formës. Ka edhe shumë vjet para”, ka thënë trajneri i Golden State, Steve Kerr.
Aloja e Golden State, Draymond Green, po ashtu e ka vlerësuar lart këtë arritje.
“Nuk besoj se ka ndonjë kontestim kur thuhet se është 'shuteri' më i mirë i të gjitha kohërave. Nuk besoj se ka ndonjë që e kundërshton këtë”, ka thënë Green.
Curry mori ovacione me të thyer rekordin.
“Unë po i thosha stafit tim të trajnerëve se ende mendoj se Steph Curry është një nga lojtarët më të nënvlerësuar në NBA. Nuk e di se si ndodh kjo, por ashtu është. Ai është lojtar i madh. Bën skuadrën e tij shumë më të mirë”, ka thënë trajneri i Clippersit, Doc Rivers.
Curry përfundoi ndeshjen me 38 pikë, tetë trepikësha, ndërsa pati edhe shtatë asistime dhe rekord të karrierës prej 15 kërcimeve.
“Mënyra se si luaj, gjuajtjet që bëj, qartë, se kam besim në vete sa herë që tentoj, por të jem në të njëjtën kategori dhe të kaloj një emër si Ray Allen është një moment i madh për mua”, ka thënë Curry.