Stephen Curry ka vendosur rekord për më së shumti trepikësha të shënuar në gjithë ndeshjet e ligës NBA, përfshirë edhe plejofet. Ai me bashkëlojtarët tjerë të Golden State Warriors fitoi kundër Chicago Bullsit në ndeshjen e fundit.
Curry tani ka 3,366 trepikësha në të gjitha ndeshjet e ligës NBA, në sezonin e rregullt dhe në plejofe. Nëntë të fundit i shënoi në fitoren 119:93 të Warriorsit kundër Chicagos. Ray Allen mbetet prapa Curryt me 3,358 trepikësha të realizuar.
33-vjeçari i “luftëtarëve” tani e synon rekordin e Allenit në sezonin e rregullt. Curry e mbylli takimin me 40 pikë të shënuara dhe me skuadrën e vet është lider në Konferencën e Perëndimit. Është hera e 52-të në karrierën e tij që shënon 40 e më shumë pikë brenda një ndeshjeje.
Vinte pas duelit kundër Atlanta Hawksit ku shënoi 50 pikë. Rekordet zyrtare të NBA nuk i përfshijnë ndeshjet e plejofit. Allen në sezonin e rregullt ka 2,973 trepikësha të realizuar, ndërsa Curry ka 2,896.