1 perditesime
10:43

Zyrtare: Kloppi nuk e merr Shaqirin në Beograd për ndeshjen kundër Zvezdës

Xherdan Shaqiri nuk është përfshirë në 21 lojtarët e Liverpoolit që do të udhëtojnë në Beograd për ndeshjen në Ligën e Kampionëve kundër Crvena Zvezdës.

“Është një situatë ku do të shkojmë në qytetin fantastik të Beogradit si një ekip futbolli për të luajtur futboll”, ka thënë Jurgen Klopp për Liverpoolfc.com, transmeton Koha.net.

“Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulimet për atë lloj pritjeje që Shaqiri do ta merrte atje dhe megjithëse nuk e kemi idenë se çfarë do të mundë të ndodhte, ne duam që të shkojmë atje dhe të fokusohemi 100 për qind në futboll dhe jo të mendojmë për diçka tjetër. Kjo është e gjitha”, ka sqaruar Klopp.

“Ne jemi Liverpool FC, një klub i madh, një ekip futbolli por nuk kemi ndonjë mesazh tjetër. Nuk kemi asnjë mesazh politik, absolutisht jo. Ne duam të fokusohemi që të jemi në këtë lojë të madhe futbolli, të jemi të lirë nga çdo gjë tjetër”, ka thënë ndër të tjera trajneri i Liverpoolit.

“Ne jemi të etur për të qenë të respektueshëm dhe të etur për të shmangur çdo shpërqendrim nga gara 90-minutëshe e cila është e rëndësishme për futbollin dhe vetëm për futbollin. Kështu që për atë arsye, Shaqiri nuk do të përfshihet dhe ai e pranon dhe e kupton këtë. Shaqiri është lojtari ynë, ne e duamë atë, dhe ai do të luajë për ne shumë herë, por jo të martën”, shtoi Kloppi.

Gjithashtu, Kloppi ka zbuluar edhe emrat e lojtarëve që do të udhëtojnë për në Beograd për të luajtur kundër Crvena Zvezdës: Fabinho, Van Dijk, Wijnaldum, Lovren, Milner, Keita, Firmino, Mane, Salah, Gomez, Alisson, Sturridge, Moreno, Lallana, Mignolet, Robertson, Origi, Solanke, Matip, Kelleher, Alexander-Arnold.

23:39

Liverpooli po e konsideron të mos e ftojë Shaqirin në ndeshjen ndaj Zvezdës

Liverpooli po e shqyrton mundësinë që të mos e ftoj fare futbollistin shqiptar, Xherdan Shaqiri për sfidën e së martës në Ligën e Kampionëve ndaj Crvena Zvezdës.

Kështu raporton gazetari i Times Sport, Paul Joyce, përmes një postimi në Tëitter.

“Liverpooli po e konsideron ta lë jashtë skuadrës Xherdan Shaqirin për ndeshjen ndaj Crvena Zvezdës”, shkruan Joyce.

Të martën nga ora 18:55 klubi serb Crvena Zvezda e pret Liverpoolin në Beograd për ta zhvilluar ndeshjen e dytë ndaj skuadrës së Jurgen Kloppit.

Shaqiri ditë më parë kishte deklaruar se nuk ka frikë të luajë në Beograd, dhe është i gatshëm të luajë ndaj skuadrës serbe.