Çdo ditë ora 7 e mëngjesit e gjen në njërin nga stacionet e autobusëve në lagjen “Bregu i Diellit”.
Nëntoger Valdrin Talla në këtë kohë niset drejt kazermës “Adem Jashari” për ta vazhduar aktivitetin e tij si pjesëtar i Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Fillimisht e merr autobusin e linjës 4 të “Trafikut Urban”, për të ardhur deri në qendër.
E, nga qendra deri në kazermë vazhdon me autobusin e linjës 7C.
Për 4 biletat që i duhen për të udhëtuar për në punë gjatë ditës, tashmë Talla dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të FSK-së janë të liruar nga pagesa.
Kjo si rezultat i një memorandumi bashkëpunimi i cili u nënshkrua nga Ministria e Mbrojtjes me atë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Sa i përket transportit urban në Prishtinë, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Sipas nëntoger Tallës, kjo marrëveshje është e mirëseardhur nga pjesëtarët e FSK-së, ngase shumë nga ta udhëtojnë nga vende e lagje të ndryshme të Prishtinës.
Pjesën e Akademisë Ushtarake ai e ka përfunduar në Gjermani, e pikërisht gjatë asaj kohe edhe atje u mor një vendim i ngjashëm.
Udhëtimi me transport publik thotë se i sjell edhe kënaqësi.
Të shumtë janë qytetarët të cilën shprehin respekt e fëmijët që i drejtojnë pyetje të shumta për punën e tij. Edhe kërkesat për fotografi me të vijnë herë pas here.
Përpos trafikut urban, edhe në atë hekurudhor zbatohet kjo marrëveshje.
E për ushtarët që udhëtojnë nga qytete të tjera për në Prishtinë kujdeset vetë FSK-ja.