SOT

Studentët e Edukimit dhurojnë materiale didaktike për nxënësit me aftësi të kufizuara

E hëna e parë e qershorit nisi ndryshe për qendrën burimore “Përparimi” në Prishtinë.

Studentë të Fakultetit të Edukimit e vizituan qendrën nga afër ku u njoftuan për shërbimet e mbështetjes që ofrohen këtu. Por, fokusi kryesor ishte te mbështetja që këta studentë u ofruan nxënësve me aftësi të kufizuara që vijojnë mësimet këtu.

Materiale të shumta didaktike të punuara nga vetë këta studentë iu dhuruan qendrës “Përparimi”, gjë për të cilën u shpreh i lumtur stafi i qendrës.

Ud. e drejtoreshës së kësaj qendre, Drita Dushi-Parduzi, tha se këto materiale janë pasuri e shtuar për procesin mësimor që zhvillohet aty.

“Aktiviteti është i ditës së 1 qershorit kemi dashur ta festojmë bashkë me Fakultetin e  Edukimit që bashkë me studentë kanë bërë materiale didaktike për qendrën tonë me të vërtetë këto materiale janë shumë të nevojshme për nxënësit sepse u përshtaten aftësive të tyre. Është donacion i rrallë dhe dua të falënderoj shumë gjithë ata që kanë kontribu. Për ne është motiv më shumë por edhe rikujtim se qendra jonë kemi prodhuar materiale të tilla por nuk kemi pas mundësi për sasi të shumta, këto kanë kosto të lartë dhe është motiv që ne të vazhdojmë më shumë të jemi model për shkollat tjera gjithëpërfshirëse”, thekson Dushi-Parduzi.

Sipas saj, ky është bashkëpunimi i parë dhe një nga donacionet më të rëndësishme që i janë bërë ndonjëherë qendrës “Përparimi". Ajo fton edhe të tjera institucione arsimore t'u bashkohen në nisma të tilla për të mirën e këtyre nxënësve.

“Bashkëpunimi i tillë është për herë të parë dhe e gjitha kjo është shkaku i iniciativës së një kolege tonë që po është në master ne Fakultetin e Edukimit që ka promovu punën tonë aty. Ju sugjeroj të gjithëve që bashkëpunimet e tilla të vazhdojnë ku nxënësit më së shumti përfitojnë”, shton Dushi-Parduzi.
Eronita Kajtazi, studente në Fakultetin e Edukimit, thotë se secili prej këtyre punimeve është i krijuar me dashuri dhe kjo ka bërë që më shumë t'u ngjallet ndjenja e humanizmit.

“Ne në kuadër të lëndëve të gjithëpërfshirëse bashkë me profesoreshën tonë Ardita Devolli kemi marrë iniciativë me u sjellë disa materiale didaktike fëmijëve të kësaj qendrës dhe na ka ngjallë ndjenjën e humanizmit dhe ne menjëherë kemi dashtë me kontribu. Jemi gjithsej 3 grupe të studentëve, dy nga bachelor dhe një nga master besoj se kemi arrit me iu ndihmuar fëmijëve dhe mësimdhënësve të qendrës që me pas sa më shumë materiale të tilla”, deklaron Kajtazi.

Ajo thotë se programi i sotëm i emocionoi aq shumë saqë bashkëpunimin mendojnë ta vazhdojnë edhe më tutje.

“Materialet janë të tilla që mësimdhënësit i përdorin me punu me fëmijë, zbritje, mbledhje, shqiptim, janë edhe shumë atraktive në të njëjtën kohë. Kjo ka qenë në bashkëpunim mes nesh nuk kanë qenë shumë të kushtueshme dhe nuk duam të përmendim kosto sepse më shumë ka të bëj me humanizëm, bashkëpunimi ka ndodh për herë të parë por shpresojmë ta bëjmë përsëri sepse në program na emocionuan shumë dhe duam përsëri të ndihmojmë”, shton Kajtzi.

Përderisa materialet didaktike u ekspozuan në shkollë, njëkohësisht nga stafi i shkollës ishte organizuar edhe një mini-program, ku edhe nxënësit e shkollës patën mundësi të ishin pjesë e programit me këngë e aktivitete të tjera.