SOT

Sivjet kosovarët konsumuan 2 milionë kg biskota nga Serbia

Gjatë këtij viti, në Kosovë nga shteti serb kanë hyrë mallra në vlerë rreth 8 milionë euro.

Prej tyre, 5 milionë euro janë dhënë për importimin e 2 milionë kilogramë biskotave dhe ëmbëlsirave nga ky shtet.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur se krahasuar me vitin e kaluar, përqindjet e importeve nga Serbia mbesin të njëjta.

Importi i produkteve nga Serbia, shton Stavileci, është i fokusuar në industrinë e ushqimit, por ka edhe produkte të tjera industriale, kurse eksporti i Kosovës në Serbi është i fokusuar në pemë, perime dhe materiale ndërtimore.

Sipas qytetarëve, shumë nga prodhimet vendore mund të zëvendësohen me produktet që vijnë nga Serbia dhe vendet e tjera të rajonit.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë se derisa kompanitë nga Serbia arrijnë të kenë treg të madh në Kosovë, produktet e Kosovë më shumë vështirësi depërtojnë në tregun e Serbisë.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka vlerësuar se aktualisht mes Kosovës dhe Serbisë ka disbilanc tregtar dhe kjo gjë sipas tij, e dëmton ekonominë e vendit.

Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar. Kontributi i eksporteve me vendet e CEFTA-s sipas të dhënave të muajit tetor, 2021 ishte mbi 24 milionë euro, kurse importi afër 90.3 miliardë euro.