Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Shtegu i hekurt në bjeshkët e Deçanit

Bjeshkët e Nemuna të shtrira në perëndim të Kosovës në gjirin e tyre mbajnë edhe Bjeshkët e Deçanit.

Madhështia e tyre tani mund të përjetohet edhe nga afër duke e përcjellë shtegun e hekurt “Via Ferrata Deçani”.

Shteg ky i gjatë 407 metra që të ofron një pamje të jashtëzakonshme të Bjeshkëve të Kosovës.

Me përfundimin e projektit “Via Ferrata Deçani”, kjo komunë tashmë i ka shtuar një vlerë turizmit të saj.

“Projekti ka filluar në muaji qershor. Ideja dhe projketi kanë qenë të Adriatik Gacaferit me “Kosova Mountain Club”, dhe në bashkëpunim me Komunën kemi bo takim domethënë me kryetarin dhe kryetari është pajtu dhe i ka pëlqyer shumë ideja që me u ndërtu një Via Ferrata e Deçanit”, deklaron Fitore Shala, drejtoreshë për Ekonomi dhe Zhvillim në Deçan.

Komuna e Deçanit në bashkëpunim më Swisscontact, e kanë filluar projektin për ndërtimin e shtegut të hekurt të montuar nga “Marimangat e Pejës”.

“Shtegu i Via Ferratës prej procedurave administrative ka fillu pas gushtit, edhe ka fillu ndërtimi ose montimi i shtegut Via Ferrata. Montimin e Via Ferratës e ka bo organizata “Marimangat””, thotë Shala.

Ende pa u inauguruar “Via Ferrata Deçani”, interesimi për ta vizituar këtë rekreacion ka filluar të jetë i madh vetëm nga publikimi i fotografive në rrjetet sociale.

“Ende nuk është bërë promovimi zyrtar i “Via Ferrata Deçani”, por që kemi fillu promovimin e saj nëpërmjet rrjeteve sociale, e kemi hapë një faqe në Facebook, edhe më heret ka pasur njohuri nga qytetarë të Deçanit, por me publikimin e fotografive në faqen zyrtare ka bërë një bujë të madhe”, deklaron ajo.

“Kosova Mountain Club” do t’i pajisë të gjithë ata që do ta vizitojnë Shtegun e Hekurt, duke ofruar edhe përcjellje e guida deri në majën e Bjeshkëve të Deçanit.

“Qendra e vizitiorëve në Pejë ekziston por mirëmbajtjen, paisjen, gudën dhe aranzhimin e bën “Kosova Mountain Club””, thotë Shala.

Posa të vendosen pajisjet, fillon ta ndjesh adrenalinën.

Fillimi i “Via Ferrata Deçani” të sjellë një ndjenjë në mes dëshirës që të mbërrish në majë sa më shpejt dhe asaj që ta shijosh secilin kalim të shkëmbinjve të thepisur.

“Jo vetëm për këtë Via Ferrata, por për çdo Via Ferrata tjetër duhet së pari me e pasë brezin i cili i ka edhe dy karrabina, lidhja e sigurisë mes teje dhe Via Ferratës.”, deklaron Adriatik Gacaferi i “Kosova Mountain Club”.

Duke e përshkuar më tutje shtegun, e dëgjon ushtimën e bjeshkëve, që të shtyn të vazhdosh më lart, e sa më afër fundit të jesh fillojnë të shfaqen edhe majat e maleve të tjera përreth.

Në kohën me mjegull, kur e mbërrin fundin e “Via Ferrata Deçani” mjegulla që rri pezull mbi Deçan duket si një det i bardhë, që mbulon krejt çfarë mund të shohësh para teje.

“Zakonisht është e natyrshme që në pjesën e parë të dimrit mjegulla qëndron poshtë kurse bjeshkët lart janë të hapura. Këtu po mundemi me i pa Bjeshkët e Nemua dhe vragmalet e Sharrit”, tha Gacaferi.

Artikuj të ngjashëm