SOT

Shqetësuese: Të miturit në Kosovë përdorin kokainë

Një instalacion që bart një mesazh të fuqishëm për mos konsumimin e drogës po lëviz nëpër sheshet e Prishtinës.

Në mes të tij paraqitet një i ri, i lidhur me tela, e që simbolizon të rinjtë që mbesin të ngujuar në rrjetën e varësisë. 

“Varësia nuk të lë të jesh i lirë; droga t’merr gjithçka; fol me prindërit ata kuptojnë gjithçka”, janë disa nga sloganet e fuqishme të cilat janë vendosur përreth saj. 

Përmes një kampanje 3-mujore KOMF, Zyra për Qeverisje të Mirë të Kryeministrit, “Trust Circle Foundation” dhe organizata “Labyrinth”, janë bërë bashkë duke dhënë shembull se si arti mund të bëhet thirrje për vetëdijesim dhe reflektim. Pjesë e kësaj kampanje do të jenë edhe ligjëratat edukuese në të gjitha shkollat e Kosovës për ciklin 6 deri në 12.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i përdoruesve të drogës në Kosovë arrin në 30 mijë persona. Edhe më shqetësuese është fakti se mosha mesatare e fillimit të konsumimit ka rënë nga 18 në 16 vjeç. 

“Në bazë të vlerësimit dhe në bazë të kërkesave për trajtim në Kosovë janë rreth 30 mijë përdorues aktivë të drogave, prej këtyre janë rreth 10 mijë përdorues problematikë, e të cilët i quajmë ata që janë të varur dhe të cilët brenda një jave përdorin 3 herë në javë një substancë të caktuar. Mosha mesatare sillet rreth 28 vjeç ndërsa fillimi i përdorimit të një substance të caktuar është 16 vjeç. Nëse e krahasojmë me vitin 2018 ka qenë 18.4 ndërsa vitet e fundit ka rënë shumë dhe kjo na ka bërë të shqetësohemi shumë”, thekson Muharrem Ademi, koordinator në qendrën “Labyrinth”. 

Ai tregon se sa persona po trajtohen momentalisht në organizatën e tyre.

“Aktualisht jemi duke i trajtuar 150 persona prej tyre 130 janë duke përdorur zëvendësues të opioideve të ndryshme ndërsa rreth 30 janë duke u trajtuar për kokainë dhe marihuana. Vetëm personave që iu përkeqësohet gjendja vijnë të kërkojnë ndihmë, fatkeqësisht ajo çka na intereson identifikimi i hershëm dhe reagimi i hershëm”, thotë Ademi.

Përderisa më parë kokainën e kanë përdorur kryesisht moshat mbi 30 vjeç, viteve të fundit ajo po përdorët edhe prej moshës 17 vjeç.

“Sa i përket tipave të drogave, marihuana dhe kanabisi janë drogat më të përdorura në Kosovë, pas saj vjen kokaina e cila ka një rritje shumë të madhe këto 4-5 vjetët e fundit, pra edhe mosha e përdorimit të kokainës ka rënë, për shembull në vitin 2013 kokainë kanë përdorur kryesisht moshat e rritura rreth 35-45 vjeçe, ndërsa këtë vit edhe vitin e kaluar kemi pasur kërkesa edhe për trajtim edhe 17 - 18-vjeçare që varen prej kokainës”, shton Ademi.

Krenar Batusha nga “Trust Circle Foundation” thotë se shqetësuese është mungesa e edukimit dhe komunikimit me fëmijët.

“Shqetësuese është shumë edukimi dhe qasja ndaj këtij problemi se ende nuk e kemi një kulturë të tillë dhe fëmijët nuk dinë se si të komunikojnë me prindërit për këtë temë dhe kjo bëhet një problem më i madh. Për këtë vuajnë më shumë si prindërit ashtu edhe vetë fëmijët. Mendoj që prindërit të cilët vijnë në një pikë shumë, shumë të lodhshme, pas disa viteve kërkojnë ndihmë e jo në fillim. Nuk ka ra më herët të përballemi me këtë problem plus nuk kemi shumë edukim edhe në shkolla se si t’i qasemi këtij problemi dhe prandaj shkon duke u rritur problemi”, deklaron Batusha.

Sipas tij, është shumë i rëndësishëm kontrollimi i vazhdueshëm i fëmijëve sidomos gjatë periudhës së pubertetit.

“Kryesorja ajo shkon prej bazës së edukimit si fëmijë dhe nëpër shkolla duhet të bëhet edukimi i pari dhe tregimi dhe komunikimi se çfarë dëmi të bën droga dhe varësia ndaj saj. Pra komunikimi prindër-fëmijë, kontrollimi i vazhdueshëm se ku po rri çfarë po bën, afrimi sa më shumë i fëmijëve, shtyrja për t’u marrë me sport apo edhe ta drejtojë te psikologu. Por duhet të jetë reagimi i shpejtë sepse sa më shumë kalon kohë edhe prindi e ka më të vështirë ta nxjerrë fëmijën por edhe fëmija të dalë nga ajo”, ka deklaruar Batusha.

Përveç Prishtinës, ky instilacion synohet të vendoset edhe në qytetet e tjera të Kosovës.