Arbëri

Me vitin shkollor nis edhe fushata për komunitet pa varësi të drogës

Rritja e përdorimit të lëndëve narkotike sidomos tek moshat e reja po konsiderohet shqetësuese. Për ta parandaluar këtë dukuri, të hënën është lansuar fushata dymujore “Një komunitet pa varësi”, që synon vetëdijesimin dhe parandalimin e përdorimit të substancave narkotike te fëmijët dhe të rinjtë

Mbi 35 mijë persona përdorin lëndë narkotike në Kosovë, ndërsa mosha e fillimit ka rënë në 16 vjeç, sipas të dhënave të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve. 

Për këtë arsye KOMF së bashku me Zyrën për Qeverisje të Mirë të Kryeministrit, “Trust Circle Foundation” dhe organizatën “Labyrinth”, më 1 shtator, në ditën e parë të vitit të ri shkollor kanë lansuar fushatën “Një komunitet pa varësi”.

Kjo kampanjë synon vetëdijesimin dhe parandalimin e përdorimit të substancave narkotike tek fëmijët dhe të rinjtë.

Drejtoresha ekzekutive e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, ka thënë se gjendja në Kosovë është shqetësuese dhe kërkon mobilizim të përgjithshëm.

“Numri i përdoruesve ka kaluar shifrën prej 35 mijë në Kosovë, përderisa fëmijët dhe adoleshentët çdo ditë e më shumë po bëhen pjesë e këtij numri. Shqetësuese është ulja e moshës së përdorimit të substancave narkotike. Në vitin 2018 mosha mesatare e fillimit ka qenë 18 vjet, tani ka rënë në 16 vjeç. Kjo është situatë kritike që kërkon ndërmarrjen e veprimeve nga të gjithë”, ka thënë Kelmendi.

E Krenar Batusha nga “Trust Circle Foundation” ka theksuar se pasojat e varësisë janë të mëdha.

“Përjetimet që i kanë fëmijët dhe familjet nga varësia dhe problemet me droga janë shumë të mëdha. Por kjo është temë tabu që nuk flitet shumë, e me këtë kampanjë synojmë të hapim diskutimin, por edhe të edukojmë fëmijët dhe familjet se si të parandalojnë varësinë”, ka deklaruar Batusha.

Edhe përfaqësues të institucioneve e vlerësuan të rëndësishme këtë nismë.

Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, ka thënë se fushata është hap i domosdoshëm në mbrojtjen e të rinjve.

“Ky lansim i kësaj fushate tregon edhe një herë vendosmërinë tonë për të qenë pranë personave, të cilët kanë qenë përdorues por, mbi të gjitha, për të përçuar mesazhin që fëmijët tanë duhet të jenë sa më larg drogës”, ka theksuar Sahiti.

E drejtori i qendrës Labyrinth, Safet Blakaj, ka thënë se institucionet duhet të angazhohen më shumë në luftimin e kësaj dukurie.

“Kur takohen njerëzit e vullnetit të mirë, mund të kryhen punë të mëdha. Besoj që institucionet tona do të reagojnë dhe do të vazhdojnë me programe më të gjera parandaluese, posaçërisht në shkolla. Ne në ‘Labyrinth’ nuk do të rreshtim së kërkuari për programe specifike për të rinjtë, pasi që përdorimi i tyre është bërë i frikshëm nga të rinjtë në ‘Labyrinth’, kemi pasur përdorues të kokainës nga mosha 35-40, tashmë mosha e përdoruesve ka rënë në 25 – 35”, ka thënë ai.

Fushata “Një komunitet pa varësi” do të zgjasë për dy muaj, do të shtrihet në shumë komuna dhe do të përfshijë aktivitete të shumta ndërgjegjësuese e parandaluese.