Të flitet për marrëdhëniet, problemet e orientimet seksuale nuk është edhe aq e zakonshme në vend, e sidomos nëpër shkolla.
Mirëpo, Shkolla e Mesme e Ulët “Astrit Bytyqi në Ferizaj pikërisht këto tema i ka kthyer në temë diskutimi në klasë, e kjo si rrjedhojë e iniciativës së marrë nga mësimdhënësja e biologjisë, Sueda Jusufi-Elshani.
Në kuadër të lëndëve zgjedhore është lënda e edukimit shëndetësor, brenda së cilës mësohet aftësimi për jetë në edukimin seksual.
Se një lëndë e tillë ka qenë më se e nevojshme e kanë vënë në pah edhe prindërit, por edhe vetë nxënësit.
Sipas mësimdhënëses, prindërit ende i klasifikojnë këto tema si tabu dhe se nuk i flasin në sy të fëmijëve të tyre.
Mirëpo, qëkur filloi të ligjërohej edukimi shëndetësor, të rinjtë e klasave të nënta kishin njohuri edhe për problemet që ata vetë mund të kishin pasur.
Yllora Mehmeti është një nga ish-nxënëset e gjeneratës së parë me të cilën filloi ligjërimi i lëndës, e së fundmi, në bazë të një hulumtimi që ka bërë, ka kuptuar që ish-shkolla e saj është e vetmja në vend që ofron mësime që lidhen me edukimin seksual.
Edhe
Mësimdhënësit dhe nxënësit refuzojnë lëndën e Edukimit Seksual
Ajo tashmë është nxënëse e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj dhe shton se është ndër nxënëset më të përgatitura në klasë kur diskutohen këto tema.
E, drejtori i kësaj shkolle, Ramadan Ademaj, thotë se kur kishte qenë mësimdhënës shumë vite më parë kishte pasur rastin e njëjtë me mësimdhënësen Sueda.
Edhe pse ende nuk është lëndë tipike që flit pikërisht për edukimin seksual, lënda e edukimit shëndetësor ka zgjuar shumë interesim dhe, bazuar në këtë fakt, kemi ardhur në përfundimin se nevoja për një lëndë të tillë çdo ditë e më shumë po zgjerohet.