Arbëri

Shkollim pa ligjërim të mirëfilltë për marrëdhëniet dhe seksualitetin

Nxënësit kanë vlerësuar se është e nevojshme që të futet si lëndë e veçantë edukimi seksual, pasi sipas tyre, mësimdhënësit e lëndëve të shkencave natyrore dhe të atyre shoqërore nuk u kushtojnë rëndësi njësive mbi njohuritë për zhvillimin njerëzor dhe shëndetin riprodhues. Edukimi gjithëpërfshirës seksual është parë i rëndësishëm në fuqizimin e të rinjve për të marrë vendime të informuara në lidhje me marrëdhëniet dhe seksualitetin

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), javën e dytë të muajit tetor ia ka dedikuar promovimit të edukimit seksual gjithëpërfshirës.

Përkundër se në kurrikulat lëndore është e paraparë që nxënësit të mësojnë për shëndetin seksual, ata kanë deklaruar se mësimdhënësit shpeshherë i kanë anashkaluar këto njësi mësimore.

Arianita Myrtaj, e cila ka një dekadë që është pjesë e sistemit arsimor, ka treguar se për edukimin seksual është informuar vetëm në një orë mësimore të lëndës së biologjisë në klasën e nëntë.

“Gjatë shkollimit tim nuk është përfolur shumë kjo temë, gjithmonë kur kanë pasur njësi në këtë temë, gjithmonë është anashkaluar. Edhe nxënësit kanë përqeshur gjithmonë. Gjithmonë e kanë anashkaluar këtë temë”, ka thënë nxënësja e vitit të parë në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet.

Me informacione të pakta nga mësimdhënësit rreth shëndetit seksual dhe riprodhues është përballur edhe kohanikja e Arianitës, Suara Ismajli. Ajo ka thënë se nxënësit më shumë janë informuar nga ligjëratat e organizatave të jashtme.

“Në fillore në klasën e nëntë kemi pasur dhe në fund i kemi zhvilluar këto njësi, por nuk i kanë shpjeguar shumë arsimtarët. Nxënësit nuk kanë qenë shumë të interesuar dhe vetëm kanë qeshur gjatë orës së mësimit dhe arsimtarët nuk e kanë vazhduar”, ka treguar ajo.

Sipas nxënësve, është e nevojshme që edukimi seksual të futet si lëndë e veçantë

“Kisha pasë dëshirë që të kemi një herë lëndë zgjedhore, të paktën një herë në javë se i vetëdijeson nxënësit dhe na ndihmon për të ardhmen, si dhe e normalizon këtë çështje, e nuk shihet më si temë tabu në shoqëri”, ka thënë Myrtaj.

Mësimdhënësja e lëndës së Biologjisë, Florie Sejdiu, ka thënë se edukimi gjithëpërfshirës seksual i fuqizon të rinjtë të marrin vendime në lidhje me marrëdhëniet e seksualitetin.

“Janë këto tema, debate që duhet të diskutohen me këta fëmijë se jemi mësuar t’i mësojmë gjërat përmendësh. Me mësu çka thotë dikush, por kompetencat e individit të shëndosh, qytetarit të përgjegjshëm dhe të një individi të shëndosh, është primare”, ka thënë Sejdiu.

Sipas kurrikulës, të gjitha njësitë në lidhje me shëndetin seksual janë të parapara të zhvillohen në fund të vitit shkollor. E kjo sipas Sejdiut, ka shkaktuar problem pasi nxënësve në atë periudhë u mungon interesimi për të fituar njohuri të reja.

“Ne i shpjegojmë të gjitha dhe mendoj si shkollë kemi arritur në nivelin që ta kuptojmë rëndësinë e saj. Mirëpo pengim është që janë të parapara të zhvillohen në fund. E ne me aktivin kemi menduar që t’i zhvillojmë edhe më herët varësisht nga debati që kemi më nxënësit”, ka treguar ajo.

Ministria e Arsimit të hënën ka hapur javën e promovimit të edukimit seksual gjithëpërfshirës.

Ministrja Arbërie Nagavci, së bashku me përfaqësues të Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara, të martën kanë shpërndarë doracak të përpiluar nga ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe ekspertë të kurrikulave mbi informimin e drejtë të nxënësve rreth shëndetit seksual.

Nagavci në një tryezë diskutimi të organizuar në gjimnazin “Sami Frashëri” ka thënë se në institucionet arsimore ekziston stigmatizimi për këtë temë, por që sipas saj, ka përparim.

“Jemi të vetëdijshëm që ka ende shumë punë për ta luftuar stigmatizimin e temave të tilla, sepse stigmatizimi e dëmton seriozisht të kuptuarit të drejtë të çështjeve të cilat kanë të bëjnë me edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues. Kjo nis duke shpjeguar drejt fazat e fillimit të qenies njerëzore, duke nisur nga puberteti dhe deri në moshën madhore”, ka thënë ajo.

Nagavci ka theksuar se janë trajnuar 2 mijë e 400 mësimdhënës në të gjitha komunat e Kosovës, bazuar në lëndët që trajtojnë shëndetin seksual riprodhues.

Ministrja ka treguar se ka filluar bashkëpunimi me Fakultetin e Edukimit për të integruar temat e edukimit seksual në përmbajtjet e tyre programore.

Qasja e lehtë në internet e fëmijëve, ka bërë që edukimi seksual të futet në kurrikulat mësimore të shteteve evropiane. Që nga shtatori i vitit 2020, lënda “Marrëdhëniet dhe Edukimi Seksual” janë të detyrueshme në shkollat britanike.

Në shkollat fillore në Britani të Madhe, nxënësve u mësohen veprimet kryesore të ndërtimit të marrëdhënieve të shëndetshme dhe të respektueshme, si pjesë e kurrikulës kombëtare.

E, nxënësve në shkollat e mesme u mësohen faktet dhe ligji për seksin, seksualitetin, shëndetin seksual dhe identitetin gjinor, në një mënyrë të përshtatshme dhe gjithëpërfshirëse për moshën e tyre.