Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Reçeli i ftoit më i kërkuari në tregun e fermerëve

Mëngjesi i një dite vjeshte e gjen Raza Demollin në tezgën e saj duke shitur produkte vendore.

Reçele me fruta të ndryshme, pemë, perime, turshi, dhe produkte të tjera të vjeshtës janë krejt ato që kopshti i saj po i siguron si produkte për përdorim familjar dhe për treg.

Raza Demolli nga Gllogovica, Komuna e Prishtinës, thotë se produktet e saj janë të freskëta, të marra po atë ditë nga kopshti të cilin e punon me familjarët e saj.

Kjo, sipas saj, e bën dallimin e produkteve të saj me ato që u ofrohen konsumatorëve nëpër markete.

I ndodhur në qendër të kryeqytetit, tregu ofron qasje të lehtë për kalimtarët e vendbanimit, por edhe për të tjerë të interesuar që kalojnë atypari.

Pos perimeve dhe frutave të freskëta, në tregun mobil ofrohen edhe reçele me shije të ndryshme. Ngjashëm po i sjell edhe Mihane Avdullahu nga Lipjani.

Ajo specifikon reçelin e ftonit si njërin ndër produktet më të kërkuara nga konsumatorët.

Kur bëhet fjalë për interesimin e konsumatorëve, këta të fundit pos që i vlerësojnë këto produkte u shprehën se janë edhe të rregullt në blerjen e produkteve vendore.

Si çdo të martë tjetër, Nadire Hasani ka bërë rrugë nga fshati Frashër, Komuna e Mitrovicës, për të marrë pjesë në tregun mobil të Prishtinës.

Në tezgën e Nadire Hasanit si veçanti ishin produktet vendore, duke nisur nga reçeli i ftonit, rrushit, mollës e deri tek reçeli me domate jeshile, e cila e specifikoi si njërin ndër produktet më të veçanta që ajo i kultivon dhe i punon.

Tregu mobil ka filluar punën që nga prilli, ku tregtarët janë pozicionuar çdo të martë në sheshin “Zahir Pajaziti”, të mërkurën në sheshin ‘Bill Clinton” dhe të enjten në sheshin “Adem Jashari”, duke filluar nga ora 09:00 deri në orën 17:00.

Artikuj të ngjashëm