Janë 8 orë të plota që për çdo ditë pune kryen shërbime si i punësuar në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) në kryeqytet.
Edhe pse i shurdhër, për ta bërë atë që di më së miri nuk i doli asnjëherë pengesë Abedin Isufit.
I pëlqen të jetë preciz dhe për punën e tij të krenohet.
Edhe pse çdo ditë udhëton nga Vushtrria për në Prishtinë, për të kjo nuk ka qenë asnjëherë e vështirë.
Abedini tregon edhe për raportet e mira që ndan me koleget e tij, e edhe me banorët e blloqeve ku ai zakonisht punon, duke shtuar se për të komunikimi më i lehtë mbetet me kolegun e tij Edmond Makollin, i cili po ashtu është i shurdhër.
Për punën e zellshme që bëjnë Adedini dhe Edmondi, flet edhe drejtori i NPB-së, Hajdar Hoxha.
E një gjë të tillë siç bëri NPB, Hoxha fton ndërmarrjet e tjera të marrin shembull dhe të punësojnë personat të cilët janë me nevoja të veçanta.
Ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara i obligon institucionet që çdo i 50-ti i punësuar të jetë një person me nevoja të veçanta, por zbatimi i këtij ligji në Kosovë ende nuk ka arritur në nivelin e kënaqshëm.