SOT

Panelet solare në kompaninë e pijeve “Royal Beverage”

Të shtunën më datë 3 dhjetor, ne hapësirat e kompanisë "Royal Beverage" në Gjilan, u bë përurimi i paneleve solare.

Fejzullah Mustafa, pronar i kësaj kompanie, ndër të tjera, shpreh mirënjohjen që e ka për USAID-in dhe BERZH-in të cilët e financuan këtë projekt.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ajo e vlerësoi këtë projekt si të duhur dhe në kohën e duhur, duke marrë parasysh edhe krizën globale energjetike, e sidomos në Kosovë.

Potenciali i këtij projekti dhe shembulli që sektori privat po e vë për të tjerët është i qartë sipas ministres Rizvanolli.

Erin Mckee, asistent administratore në USAID, në fjalimin e saj tha që "këtë tokë të cilën po e huazojmë nga fëmijët tanë, duhet t'ua kthejmë edhe më mirë se që ka qenë", duke iu referuar energjisë nga burimet natyrore si dielli, era e uji.

Ajo me bindje e theksoi se kjo çfarë "Royal Beverage" ka bërë, është një hap të cilin të gjithë duhet ta ndjekin.

“Derisa Kosova e edhe më gjerë janë duke u përballur me krizën akute energjetike këtë dimër, jam e kënaqur që për herë të parë këtu në Kosovë po e gjejmë një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërmjet qeverisë, sektorit privat, donatorëve e investitorëve. Në mënyrë që ta hedhim një hap në këtë kohë të vështirë për Kosovën dhe sinqerisht për tërë rajonin që t’i japim përparësi prodhimit të energjisë së pastër. E përgëzoj “Royal Beverage” që e ka marrë këtë iniciativë të investimit në energji të pastër. Këto investime nuk kanë të bëjnë vetëm me fatura të energjisë më të lira, janë një investim për të ardhmen dhe një investim në të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne sigurisht që duam ta trashëgojmë një planet që i ruan resurset e veta natyrore. E kam dëgjuar një thënie shumë të mirë para disa ditëve: “Ne nuk e kemi trashëguar këtë planet nga prindërit tanë, ne jemi duke e huazuar atë nga fëmijët tanë.” Kështu që ky shembull sot po e tregon këtë përkushtim që duhet pasur për të ardhmen", tha ajo.

Në mesin e shumë të pranishmëve ishte edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni dhe stafi i kompanisë kosovare të prodhimit të paneleve solare "Jaha".