Një meny të veçantë për shujtën ditore do ta kenë tanimë zjarrfikësit e Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës. Kjo u mundësua nga Komuna e Prishtinës. Oriz me mish pule, patate të fërguara, sallatë e sandviç janë ushqimet që do të konsumojnë gjatë ditës zjarrfikësit. Kjo shujtë u mirëprit nga vetë këta të fundit, duke theksuar që është një lehtësim për buxhetin e tyre.
Ora është 8:50 dhe Liman Berisha nga Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës po përgatitet.
Në duar ka rrjetat me të cilat do ta marrë bukën për vete dhe për kolegët e tjerë.
Pa humbur kohë niset, pasi duhet të jetë në kohë në ambientet e Kuzhinës Qendrore për ta marrë ushqimin.
Kthimi i tij pritet nga të gjithë, ushqimi i ngrohtë shërbehet dhe zjarrfikësit ulen për t’u ushqyer pasi shumë shpejt i pret edhe aksioni i radhës.
Komuna e Prishtinës tash e dy javë ka siguruar nga një shujtë ditore për zjarrfikësit.
Oriz me mish pule, patate të fërguara, gjella, sallata e vikendeve sandviça, janë ushqimet e përfshira në meny për ta, e që të gjitha gatuhen në Kuzhinën Qendrore të kryeqytetit.
“Menyja është javore dhe çdo ditë kemi ushqime të ndryshme. Për vikend shërbehen sandviça dhe sallata, kurse ditëve të tjera kemi të gjitha llojet e ushqimeve: kemi patate të fërguara me mish pule, speca të mbushur, gullash dhe të gjitha llojet e ushqimeve që i gatuan Kuzhina Qendrore ne i marrim. Pra, për secilën ditë nga një meny. Kjo gjë vlen për të gjitha ndërresat, ne punojmë 24 orë, ndërrimi i paradites, si sot që jemi, e kemi mëngjesin dhe drekën, kurse ndërrimi i pasdites i bie ta kenë vetëm darkën”, thotë Shaban Krmemi, udhëheqës i skuadrës.
Këtë shujtë e mirëpriten zjarrfikësit. Ata thonë që përveç tjerash tanimë po hanë ushqim cilësor dhe në të njëjtën kohë po kursejnë para.
“Neve na ka ndihmuar shumë kjo gjë, jemi çdo ditë në punë dhe ushqimi na shërbehet tri herë në ditë. E falënderojmë Komunën e Prishtinës dhe kryetarin e Komunës për këtë angazhim. Unë do të bëja apel te Qeveria dhe AME-ja që të angazhohet dhe të sigurojë një gjë të tillë edhe te komunat e tjera. Nga AME-ja kanë buxhet më shumë dhe munden me bo një gjë të tillë. Neve na ka ndihmuar bukur shumë kjo gjë”, thotë zjarrfikësi, Afrim Gashi.
Gashi tutje thotë se edhe Qeveria do të duhej të angazhohej në këtë aspekt. Po ashtu të sigurohen shujta ditore edhe për zjarrfikësit nëpër komuna të tjera të Kosovës.
“Me këtë gjë ne edhe po mundemi të kursejmë për shkak se i kemi edhe pagat e vogla. Në krahasim me institucionet e tjera punojmë me koeficientin më të ulët të pagave. Na kanë lënë anash shumë edhe prej Ministrisë. Kjo gjë duhet bërë edhe në komunat e tjera, jo vetëm në Prishtinë, sepse në krahasim me vendet e tjera ne qëndrojmë më mirë në disa aspekte”, tregon ai.
Kjo shujtë do të shërbehet për të gjithë zjarrfikësit gjatë 24 orëve në këtë brigadë.