Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Ofertat e Brezovicës për pushime

Shijimi i borës i ka tërhequr vizitorë të shumtë këtë vikend në Brezovicë. 

Mirëpo, krejt ndryshe duket qendra e skijimit gjatë ditëve të punës. 

Distanca sociale është e lehtë për t’u mbajtur gjatë këtyre ditëve në komunën që zyrtarisht është zonë e gjelbër për COVID-19. 

Fundviti i vitit 2020 ka pasur pak borë në viset urbane, mirëpo prania e saj këtu siç tregon Jeton Matoshi, menaxher në “Apollonia” është vetëm një nga arsyet që mblodhi më shumë vizitorë. Natyra e bukur, ajri i shëndetshëm, mundësia për ecje janë disa nga arsyet për ta vizituar Brezovicën përveç vilave e ushqimit tradicional. 

“E mundëson ecjen në natyrë, hiking (ecjen e ngjitjen në male), hotelet e bukura që i posedon, ajrin e pastër pasi që ka edhe lloje të shumta të drunjve”, thotë Matoshi. 

Edhe 30 deri në 50 centimetra borë në Brezovicë Arbëri 6 muaj më parë 30 deri në 50 centimetra borë në Brezovicë

Vilat, sipas tij, i kanë liruar çmimet si pasojë e pandemisë. Në përgjithësi ditëve të javës është më lirë krahasuar me vikend, kur kërkesat e mëdha rrisin edhe çmimet për akomodim.

“Shkaku i pandemisë jemi detyruar edhe ne si biznes, si hoteleri, që t’i bëjmë disa ulje çmimesh në mënyrë që klientela jonë të vijë pak më shpesh dhe ta kalojë ndonjë ditë pushimi pasi që e kanë pasur një monotoni shumë të madhe. Ka ndikuar (në ulje) rreth 20% nga çmimi i zakonshëm që e kemi pasur”, tregon Matoshi. 

Ambienti me ujë e drunj të ndryshëm tërheq vizitorë në Brezovicë gjatë  gjithë ditëve të vitit. Por, menaxheri i restorantit në afërsi të këtyre vilave, Ilir Ismaili, thotë se ka nevojë për investime shtesë për turizmin. Sipas tij, bizneset private janë meritore për shumicën e investimeve.

“Kushtet i dinë të gjithë se cilat janë. Duhet bërë edhe investime në infrastrukturë... Ka nevojë për investim në rrugë, parkingje, ndriçim e rrymë, që (për ne) është problem shumë i madh”, thotë Ismaili. 


Në Komunën e Shtërpcës grumbullimet e mëdha të qytetarëve nuk i shohin si të dëshirueshme. Garip Sahiti, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal të Shtërpcës, thotë se do të koordinohen me institucionet qendrore për të mos i lejuar tubimet e mëdha në kohë pandemie.  

Edhe Kurti premton 500 milionë euro investim në Brezovicë Zgjedhjet 2025 6 muaj më parë Kurti premton 500 milionë euro investim në Brezovicë

“Shtabi i komunës (për COVI-19) është i gatshëm për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme... Besoj gjatë ditëve të ardhshme këtë javë do të ketë një vendim”, ka thënë Sahiti. 

Sidoqoftë, ditët e punës janë koha më e sigurt për ta vizituar Brezovicën. Megjithatë, sezoni i skijimit nuk ka nisur ende në mungesë të sasisë së duhur të borës dhe për shkak të gjendjes me pandeminë.