Këto pjesë të Maleve të Sharrit, tashmë mund t’i shohë edhe çdo qytetar që ia mësyn të vizitojë Brezovicën.
Kjo për shkak se pas një kohe të gjatë është vënë në funksion teleferiku, e që interesimi për ta shfrytëzuar atë gjatë kësaj të marte, ishte i madh. Megjithatë, me vendin më të vizituar gjatë stinës së dimrit, nga ky vit, kanë filluar menaxhimin institucionet e Kosovës.
E ata që e shfrytëzojnë teleferikun do të pajisen edhe me një kupon fiskal, gjë të cilën po e mirëpresin vizitorët, por që thonë se paratë duhet të shfrytëzohen për investime në këtë pjesë.
"Shumë ma i kënaqur se është në dorë tonën tash, dej sot s’kanë paguar ndoshta janë shkuar paret për Serbi apo s’di ku, a tash po shkojnë për vendin tonë. Shumë keq se na u dashke me shkuar në vende të tjera", tha Fisnik Raqi, vizitor.
"Është shumë ma mirë, por pista nuk është shumë e pastër edhe nuk është duke u mirëmbajtur edhe pse jemi duke paguar me kanë e pastër. Ka vonuar derisa u hap, edhe na u ka dashtë me shku në vende të tjera, derisa u hap”, tha vizitori tjetër Fatos Raqi.
Por, ka nga ata që erdhën vetëm për të shijuar ecjen në natyrë, e që janë skeptikë për atë se ku do të shkojë shuma e mbledhur nga këtu.
"Ma shumë vi për qejf, jo për teleferikun. Vi shpesh me ecë, jo me skiju a najsen. Pak po edhe pse nuk më ka pengu por pak po, normalisht po, po si dihet ajo ku shkojnë paret, është puna te Shtërpca”, tha vizitori Ardian Latifi.
Ditë më parë, Agjencia Kosovare e Privatizimit njoftoi se me këtë pjesë, tashmë menaxhon një ndërmarrje shoqërore, e që është hera e parë pas rreth dy dekadave.
Ndërkohë që përfaqësues të kësaj ndërmarrjeje presin që tashmë institucionet e Kosovës të veprojnë për ndryshim të kushteve në këtë pjesë.
“Lus institucionet kompetente që të na kenë parasysh neve, kompaninë, që e ruajtëm infrastrukturën, që të shikohet për investime të reja, pasi që infrastruktura është e vjetruar; Brezovica ishte peng i politikës, nuk duam ta përziejmë politikën, këtu jemi për të punuar, që Brezovica të shkojë përpara dhe të jetë ajo që ishte dikur në rajon”, tha Sasha Iliq, zëvendëskryesues i ndërmarrjes “Brezovica”.
Tutje ata kanë apeluar që të gjithë që e shfrytëzojnë teleferikun ta kërkojnë kuponin fiskal, derisa shfrytëzimi i tij gjatë tërë ditës kushton 21 euro.