Thuhet se fshati Keqekollë është njëri nga vendet më të pasura me bimë mjekësore.
E në këto male të fshatit, Luan Fazliu, ekonomist me profesion, mbledh e kultivon bimë aromatike-mjekësore dhe fruta mali.
Në 15 arë tokë, ai ka mbjellë bimë të kamomilit që përdoret si lëndë e parë për çaj.
Fazliu ka rreth 10 vjet që e mbjell këtë lule, e cila tradicionalisht është përdorur kundër infeksioneve të ndryshme e viruseve sezonale. Tani në kohë dimri kësaj bime i bëhet vetëm përpunimi dhe paketimi. Të tjerat, si mentën, frutat e mali, çajin e gjelbër e çajin nga hithrat i grumbullon nga fermerët e zonës.
Për të gjitha këto vite, me ndihmën edhe të familjarëve, siguron të ardhura nga kultivimi i bimëve, të cilat pas përpunimit i eksporton nëpër vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Edhe
Bimët aromatike mjekësore dhe frutat pyjore, pasuri e Kosovës
Ai e tregon edhe procesin e bimëve mjekësore që bëhet në këtë pikë grumbulluese të Keqekollës. Thotë se brenda muajit bëhen 72 mijë paketime të çajeve.
“Procesi i grumbullimit të bimëve aromatike dhe frutave të malit zakonisht bëhet nga pranvera deri në vjeshtë. Produktet i marrim nga pikat grumbulluese ose nga fermerët fshatrave të ndryshëm. Këto produkte së pari i thajmë, pastaj fillojmë me procesin e përpunimit. Ndërsa eksportin e tyre kur e bëjmë i dërgoj si lëndë e parë pa e bërë përpunimin e bimëve apo frutave të malit”, ka deklaruar Fazliu.
Fazliu thotë se kërkesat e kompanive të huaja për tregti janë në rritje, por i mungojnë kushtet adekuate për përpunimin e paketimin e çajeve në bazë të kërkesave nga kompanitë e huaja.
“Ballafaqona me mungesën e një objekti adekuat. Nga viti 2013 deri më tash nuk kam pasë mundësi për me i ngritë kapacitetet me zgjeruar numrin e punëtorëve, si dhe me zgjeru hapësirën e punëtorisë. Kam ofertë nga një kompanive gjermane për paketimin e çajeve me produkte nga Kosova, mirëpo për me u realizu ai shërbim nevojiten shumë investime të mëdha. Si individ është shumë e vështirë, sepse kalon shifra shumë të mëdha të investimeve”, tha ai. “Punën që unë e bëj është me interes të zonës, jam e vetmja pikë që operoj në këtë zonë. 35 fshatra kishin muajt m’u mbuluar me punën të cilën e bëjmë, por mungesa e investimeve nga institucionet nuk kam pasë mundësi për me i rritë kapacitetet ashtu qysh janë kërkesat ne tregun e jashtëm”.
Ai thotë se deri më tani askush nga institucionet nuk i ka dalë në ndihmë për punën të cilën ai e bën.
Edhe
Kultivimi i mollëve, traditë shumëvjeçare e familjes Blakaj nga Istogu
“Deri më tani nuk ka asnjë institucion i cili ka kërkuar një mendim prej meje, institucionet mbajnë takime dhe thonë kemi thirr komitetin e bizneseve e të fermerëve po deri tani askush nuk është interesuar për produktet e çajeve të cilat i kultivoj e i paketoj. Krahasuar kushteve jemi shumë më ulët në ketë sektor”, shtoi Fazliu.
Në vend njihen dhe kultivohen afro 3 mijë lloje të ndryshme të bimëve, prej tyre rreth 400 janë bimë aromatike mjekësore. Në vitet e fundit në Kosovë është rritur kultivimi dhe mbledhja e bimëve mjekësore dhe aromatike. Vetëm në vitin 2019 vendi ka eksportuar lloje të këtyre bimëve në vlerë 8.15 milionë euro.