Në vend njihen dhe kultivohen afro 3 mijë lloje të ndryshme të bimëve, prej tyre rreth 400 janë bimë aromatike mjekësore.
Sipas njohësve të natyrës, këto bimë kanë veti shëruese, si dhe përdoren për përgatitjen e çajeve, lëngjeve, mëlmesave dhe për produkte farmaceutike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPra sjellin përfitime të shumta pa e dëmtuar biodiversitetin dhe rrezikimin e zhdukjes së llojeve të caktuara.
Me aguliçe, mëllagë të bardhë, rrush të ariut, boronicë, dëllinjë, thanukël, shtog të zi, shtog të kuq, bli fletëvogël, mollë të egër, kulumbri, pelin, murriz njëbërthamor, kamomil, mentë dhe kërlekë, rreth 700 hektarë janë të mbjellë në Kosovë, bimë këto aromatike mjekësore e të certifikuara si organike.
Fadil Millaku, profesor i botanikës në Universitetin e Prishtinës, ka theksuar se Kosova është vendi i parë në rajon për cilësi, kultivim dhe përpunim të bimëve aromatike mjekësore.
“Kosova si shtet ka potencial të mirë të bimëve mjekuese aromatike, të cilat rriten si bimë të egra në natyrë. Në kuadër të tyre hyjnë edhe frutat e malit dhe prej të gjitha këtyre bimëve që hyjnë në grupin e bimëve mjekuese aromatike në Kosovë grumbullohen përafërsisht 110 lloje, të cilat eksportohen në vendet e BE-së. Rajonet të cilat kanë më së shumti bimë mjekësisë aromatike janë: Malet e Sharrit, Alpet Shqiptare, Bjeshkët e Nemuna, nga rajoni i Mitrovicës - pjesa e Shalës, rajoni i Istogut, por edhe Gollaku, të cilat mblidhen, grumbullohen, thahen dhe ekspertohen në tregun e Bashkimit Evropian”, thotë Millaku.
Millaku ka shtjelluar se shumica e këtyre bimëve, të cilat gjenden në natyrë dhe mblidhen si bimë organike, përdoren edhe për produkte farmaceutike.
“Në 10 vjetët e fundit të gjitha farmacitë e Kosovës kanë shumë produkte farmaceutike, të cilat për bazë i kanë bimët mjekësore aromatike. Këto ilaçe e kanë një përparësi, ngase nuk kanë efekte anësore edhe janë më të mira se produktet e tjera që prodhohen nga farmacitë artificiale”, shtoi ai.
Për t’u njoftuar më shumë me bimët aromatike mjekësore më së miri na e tregon Halit Avdijaj, pronar i kompanisë “Agroprodukt”, i cili ka vite që i kultivon, i përpunon dhe i eksporton këto bimë. Siç thekson ai, gjithçka fillon nga bimët e freskëta.
“Zakonisht produktet vijnë të freskëta, ne i kontrollojmë cilësinë e produktit, formën dhe mënyrën e grumbullimit se si është mbledhur, nëse kemi parregullsi i eliminojmë qysh në fillim, meqenëse bëhet fjalë për vjelje ditore të produkteve të freskëta. Vetëm në Kosovë bëhen vjelja, grumbullimi i produkteve të freskëta në baza ditore dhe shiten si të freskëta tek qendrat grumbulluese, të cilat i kemi organizuar ne si “Agroprodukt”. Ne i garantojmë të gjithë qendrat grumbulluese në Kosovë, që janë 53 sosh, të cilat i kemi organizuar për grumbullimin dhe kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike”, u shpreh Avdijaj.
Ai shkon më tej, duke na treguar në detaje të gjithë procesin e bimëve mjekësore që bëhet në këtë pikë grumbulluese të Istogut.
“Menjëherë si të pranohen bimët e freskëta iu nënshtrohen procesit të tharjes, d.m.th. bimët e freskëta thahen me tharëse artificiale termike me temperaturë të kontrolluar, sepse nuk guxon të tejkalohen më shumë se 45 gradë celsius, sepse humben materiet e brendshme të bimëve. E shihni këtë produkt, është i kultivim ‘Sian i kaltër’, ku menjëherë pas vjeljes duhet të shtrihet në tharëse duke e ruajtur ngjyrën. Tani jemi në repartin e përpunimit të të gjitha bimëve, aktualisht, siç po e shihni, është linja për përpunimin e kamomilit. Këtu sigurohet vetëm lulja e pastër prej tij, pasi është tharë ai punëtorët e bëjnë kontrollin e fundit ndaj ndonjë parregullsie, pas këtij procesi vendoset në qese dhe eksportohet”, shtoi ai.
Avdijaj tregon se në kompaninë e tij janë 104 lloje të bimëve aromatike mjekësore, prej tyre 30 sosh janë në kultivim si: kamomil, herbë, mullagë e zezë e fruta të ndryshme.
Kultivimi i llojeve mjekësore aromatike në Istog përfshin 150 hektarë, ndërsa në krejt territorin e Kosovës janë rreth 700 hektarë me bimë mjekësore aromatike, ku të gjitha janë të certifikuara si organike.
Të dhënat statistikore nga Ministria e Tregtisë dhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural tregojnë se është rritur numri i ndërmarrjeve që regjistrohen për grumbullimin dhe përpunimin e prodhime pyjore jodrunore.
Në Kosovë rreth 20 mijë individë merren me këtë punë në 100 kompanitë kultivuese të bimëve aromatike e mjekësore apo qendra të grumbullimit, që janë afro 30 – 40, dhe kompani përpunuese 10.
Nga kjo, vlera e eksportit të prodhimeve pyjore jodrunore në vitin 2019 ishte 16.7- milionë €.