SOT

Fermerja që po e përpunon vajin nga bimët mjekuese

Çdo ditë bën rrugë nga Prishtina për në Tërrnavë të Podujevës, për t’u kujdesur për kulturat bujqësore që i mbjell. 

Kjo është fermerja Mevlide Vrajolli, kultivuese e bimëve të ndryshme mjekuese. 

Rozmarina, kopra e livanda janë vetëm disa prej llojeve të bimëve të kultivuara aktualisht në serrën e saj. 

“Me bimët tona, të cilat i kultivojmë prej kohësh, tashmë kemi filluar edhe të krijojmë serume shëndetësore, sepse janë bimë krejt natyrale mjekuese. Këtu i kam mbledhur disa lloje të rozmarinës, nga e cila e bëj vajin, për të cilin do t’ju tregoj edhe vetitë”, thekson Vrajolli.

Lloji i rozmarinës që ajo e kultivon thotë të jetë më i veçantë. 

Të tillë, sipas saj, e bën mënyra e rritjes natyrale e pa plehra artificiale.

“Kjo është një lloj i veçantë i rozmarinës, sepse për të dalë një vaj sa më i mirë dhe sa më cilësor duhet të jetë i rritur në mënyrë krejt natyrore. Kësaj rozmarine nuk i hidhet asnjë lloj plehu, por bëhet krejt në mënyrë organike, vetëm prej dheut”, thotë Vrajolli.

Me bujqësi Mevlide Vrajolli merret tash e 8 vjet. 

Përveç punës së vazhdueshme nëpër sezon në serrën në Tërrnavë, Mevlide Vrajolli ato i shet vetë në disa pika në tregjet e vendit.     

“Unë i kam të kultivuara verës më shumë kultura. Sallatën rukollë, koprën, mentën, borzilokun. Jo vetëm këtu në serrë, por dal edhe në fushë të hapur. Të gjitha këto lloje bimësh i përpunoj vetë dhe dal e i shes në disa pika në treg”, thekson Vrajolli.

Si grua e nënë, Vrajolli thotë se ka pasur shumë sfida përgjatë punës së saj si fermere. 

Sfiduese në punën e saj janë kushtet klimatike, të cilat shpesh i kanë shkaktuar dëme në kultura e në serrë. 

Por, thotë se nuk është ndalur së krijuari produkte plotësisht natyrale.  

“E veçantë e këtyre bimëve është se duhet të kultivohen në mënyrën sa më precize, sepse duhet t’u ikim të gjitha lëndëve kimike, sepse vetë fakti që janë bimë mjekësore nënkupton që nuk ke të drejtë me i përdorë asnjë lloj pesticidi. Unë si fermere e kam një punë tejet të vështirë, por kam dëshirë që produktin tim ta shesh të pastër”, deklaron Vrajolli.

Ajo përcjell mesazh për gratë të cilat, sipas saj, në çdo lloj fushe mund të angazhohen e të arrijnë të fitojnë të ardhurat.

Këtë lloj vaji që po e shihni e përpunoj vetë. Zakonisht e marrin ata që kanë probleme me flokë. Munden me e përdorë të gjitha moshat dhe mund të përdoret në afat deri në 2 vjet. Nëse dikush më kishte thënë se mund t’ia dal vetë me punën si fermere tash e 7 vjet, e kisha pasur me dilemë, por sot ju them të gjitha zonjave që të mos dorëzohen dhe me çdo punë mund të fitojnë të ardhura për familjen”, thotë ajo.

Deri tani Mevlide Vrajolli ka marrë edhe ndihmë nga organizata të ndryshme, por thotë të ketë investuar më shumë me të hollat e saj për të realizuar synimin për të avancuar në fushën e bujqësisë.