SOT

Mulliri rreth 500-vjeçar ende funksional në Prizren

Është rreth 500 vjet i vjetër, por pamjen e ka të njëjtë që nga ndërtimi. 

Ky është mulliri i Adem Aga Gjonit, ende funksional në qytetin e Prizrenit.

Maliq Gërmizaj është në të '70-at, por mullirin me ujë e hap çdo ditë me mëngjes. 

“Ky mulli është që 500 vjet. I takon familjes sonë dhe e kemi rujtë brez pas brezi. Ky mulli gjithmonë ka pas rëndësi për me u ushqy në mënyrë natyrale. I vetmi ky mulli ka mbetë këtu nga 12 që i mbaj mend veç unë e prej këtyre i vetmi jam unë që kam mbetë në qarkullim. Janë edhe tre mullinj të tjerë, po ata i kanë shndërru në restorante”, thekson ai.

Edhe pse nuk bluan rregullisht, Gërmizaj thotë se e ka të rëndësishme ta ruajë traditën e mullirit të familjes.  

Thekson se gjithçka që shfaq kulturën e traditën shqiptare të së kaluarës duhet të ruhet për të mos e përvetësuar të tjerët.

“Nuk kam edhe aq shumë punë, po arsyeja pse e mbaj funksional ende këtë mulli është se nuk dua ta humb traditën. Tash ky projekti që e kanë bë me i rujtë mullinjtë tradicionalë ka vlerë shumë që me ditë se kemi qenë të parët këtu dikur, sepse kur po na thotë dikush që këto nuk janë tonat po na vjen rëndë, po ne vetë i kemi fajet që nuk po i ruajmë”, thotë ai.

Në këtë mulli, pos drithërave ku kishte bluar rajoni i Prizrenit, pronari Gërmizaj thotë se ka familje që e vizitojnë edhe për t’u ndihmuar për probleme shëndetësore. 

“Te ky mulli ka që vijnë edhe shumë familje për fëmijët e tyre, por edhe për të rritur që kanë probleme në të folur. Më parë nuk kanë thënë kot ‘s’po u ndalka duke folë si çakall e mullirit’, prandaj i sjellin këtu dhe kanë sukses shumë”, shton ai.

“Midis ujit dhe gurit” e ka quajtur organizata “Ec ma ndryshe” hulumtimin për mullinjtë e rajonit të Prizrenit dhe Gjakovës. 

Ata synojnë që përmes hulumtimit të bëjnë thirrje që mullinjtë jofunksionalë t’i shndërrojnë në zona turistike për vizitorët.  

“Ky është një hulumtim që e kemi bë për mullinjtë e rajonit të Prizrenit dhe Gjakovës. Ajo që na ka bërë të hulumtojmë për këta mullinj dhe ta jetësojmë këtë projekt është fakti që shumica janë duke dalë nga funksioni. Industrializmi e ka bërë që këta mullinj të mos shfrytëzohen më sikur në kohërat e lashta. Ajo që ne kemi dashur të bëjmë si organizatë përmes këtij projekti është që të paktën këta mullinj të vjetër që kanë mbetur në këto rajone, nëse nuk arrijnë të rifunksionalizohen për shkaqe të ndryshme, të paktën në to institucionet të investojnë për t’i shndërruar në vende turistike që mund të tërheqin sa më shumë turistë”, deklaron Edin Gështenja nga organizata “Ec ma ndryshe”.

“Ec ma ndryshe” ka mbledhur informata për mullinj të shumtë që dikur i dhanë jetë Prizrenit e Gjakovës dhe synojnë që ta promovojnë sa më shumë vlerën e tyre në të shkuarën.