Disa vjet më parë printerët 3-dimensional u bënë pjesë e tregut në vend, kështu i shtyrë nga kureshtja edhe Rinor Sopaj e bleu një të tillë.
Duke e parë se si funksionon, vendosi që ta përdorë për krijimin e zbukurimeve të ndryshme e t’i shesë.
Figurat e llojllojshme për ëmbëlsira të ditëlindjes ishin ato që u kërkuan më së shumti.
E, përvoja e mirë me klientët e shtyu atë që të mendojë për punimin e produkteve të tjera.
Qirinjtë ishin ata që i tërhoqën vëmendjen, e të cilët ai tash i punon të personalizuar, me forma, aroma e ngjyra të ndryshme.
Duke qenë kjo një veprimtari e re, shumë shpejt për Sopajn u kthye në një aktivitet shumë të dashur, meqenëse edhe thotë se i sjell kënaqësi.
Brenda një dite arrin që ti krijojë mbi 50 qirinj, çmimi i të cilëve varet nga madhësia.
Dhe ata vijnë në formë të luleve, zemrës, si kafshë të ndryshme e edhe me motive dashurie.
Ka raste kur edhe klientët janë ata që vendosin për detajet e tjera.
Sopaj thotë se qirinjtë kohëve të fundit po kërkohen shumë që të bëhen dhuratë, kjo është një arsye më tepër që ai ta zgjerojë si veprimtari.
Të gjitha këto produkte që ai i punon porositen në rrjetet sociale, e dërgesat bëhen me anë të postës në tërë Kosovën.