Në këtë kohë kur atmosfera festive veçse ka filluar, krahas pemës së vitit të ri, dritave shumëngjyrëshe, një vend të veçantë zënë edhe dhuratat.
Përgatitja e një dhurate tregon përkushtimin e dashurinë që ndahen me të tjerët në kohë të tilla, dhe jo domosdoshmërish vlera monetare e luan rolin më të rëndësishëm këtu.
Ariana Gashi ka tash një vit prej kur pasionin e saj për t’i ambalazhuar bukur kutitë e ktheu në një veprimtari nga e cila po gjeneron edhe të ardhura.
Në kushte shtëpie, tashmë po i kryen porositë që i vijnë nga brenda e jashtë Kosovës.
Dita kur mori 50 porosi ishte kur e fitoi bindjen që këtë punë do ta vazhdojë edhe për shumë vjet të tjerë.
Jo pse këtë e ka punë kryesore, por ndjenjat që i përjeton gjatë këtij procesi janë shumë të veçanta.
Çokollatat, ëmbëlsirat e tjera e çfarëdo gjërash që klientët dëshirojnë t’ia dhurojnë dikujt e mbushin kutinë që Ariana me shumë përkushtim e përgatit.
Në këtë mënyrë ajo bëhet pjesë e momenteve të lumtura të të tjerëve.
Kjo shpeshherë rezulton në biseda të gjata më klientët, në mënyrë që të arrijnë në përfundimin e pritur.
Të shpeshta janë rastet kur përfundimi vjen edhe më mirë se që e mendon në fillim.
Kreativitetin e saj nuk e lë të pushojë asnjëherë, e edhe interneti është aty ku gjurmon për ide të reja.
Kombinime ngjyrash, produkte që tregojnë dashuri e kujdes përherë i përbëjnë këto dhurata.
Derisa deri vonë kutitë e ambalazhin i kishte sfidë t’i gjente në tregun vendor.
Çmimet e kutive i vendos në bazë të produkteve që përmbajnë, çdoherë duke iu përshtatur edhe standardit të jetesës në Kosovë.