Sezoni turistik për verën 2022 tashmë edhe zyrtarisht është hapur në qytetin e Lezhës për rreth së cilit shtrihen disa nga plazhet më të bukura. Në atë të Shëngjinit veçse ka filluar të ndihet gjallëria e verës, ku në hijen e çadrave të plazhit kanë zënë vend pushues të shumtë.
Një pjesë e madhe e tyre vijnë nga Kosova.
Edhe nëse pjesën tjetër të pushimeve verore preferojnë ta kalojnë në vende të tjera, sezonin çdoherë e fillojnë aty, tregon Hamit Krasniqi, vizitor i Shëngjinit për tash e shumë vera.
“Unë kam ardhur qe katër ditë. Gjithë vij kështu herë më shkurtër herë rri një javë e prapë një muaj, një muaj e gjysmë, vij prapë”, ka thënë ai.
Edhe për çmimet thotë se janë të përballueshme e pastërtia e plazheve mbetet ndër arsyet kryesore pse kosovarët e zgjedhin këtë destinacion për pushime.
Për një tjetër pushues, Fadil Dini, arsyeja që e preferon Shëngjinin është afërsia që e ka me Kosovën.
Edhe gjeografikisht, edhe sa u përket zhvillimeve të tjera.
“Përpara kemi ardhur shumë rrallë, por tash shumë më shpesh. Sepse sidomos këtë verë kam vënë re se ka përparim në çdo aspekt. Mbeturinat po pastrohen sepse Bashkia e Shëngjinit ka pas qëllim joshjen e qytetarëve që të shohin më shumë pastërti. Vetëm dje e pardje kam pa që pastrohet çdo pëllëmbë në plazh. Janë ngritur çmimet pak, normalisht. Por le të mbahet kështu dhe na mban të vijmë çdo vit”, ka thënë ai.
Si Krasniqi dhe Dini, nga Kosova vijnë mbi 65% e turistëve në Shëngjin.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, tregon se një pjesë e madhe e pushuesve nga Kosova kanë edhe prona aty. Qoftë shtëpi e banesa e edhe biznese, kryesisht nga gastronomia.
“Shqiptarët e Kosovës janë pjesëmarrësit më të mëdhenj në turizmin në Shëngjin. Mbi 65 për qind e klientelës janë shqiptarë të Kosovës. Jo pa qëllim kemi krijuar lidhje intensive me pothuajse të gjitha komunat e Kosovës. Kam lidhje institucionale e shoqërore me shumicën e kryetarëve të komunave të Kosovës dhe autoritetet tjera të biznesit e politikës kosovare”, ka thënë ai.
Lidhja e Kosovës me Lezhën shkon edhe përtej vizitave gjatë verës.
Ndreu thotë se bashkëpunimi ka kaluar edhe në atë institucional me shumë komuna të Kosovës e me ministrinë ku përfshihet turizmi.
“Duke qenë se jemi një gjatë kësaj kohe, duke shtuar edhe periudhën e fundjavave, për shkak se shumë shqiptarë të Kosovës kanë blerë shtëpia në Shëngjin. Janë banorë të Shëngjinit e disa janë akomoduar me biznes. Në një mënyrë apo tjetër jemi pjesë e turizmit që e gatuajmë bashkë dhe benefitiet i marrim bashkë”, ka shtuar ai.
Përveç plazheve, Lezha për turistët ofron edhe atraksione të tjera si ato historike, kulturore dhe turizmin malor.