Me interesim të lartë kanë nisur ditët e para të vaksinimit kundër gripit sezonal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Nga 1 tetori në të gjithë Kosovën ka filluar imunizimi, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e gripit sezonal.
Doktoresha Xhevahire Canolli, ka treguar rëndësinë e vaksinimit dhe kush është më i ekspozuar ndaj gripit.
“Më 1 tetor e kemi filluar edhe sezonin e vaksinimit është kjo koha më e mirë për tu vaksinuar pasi fillon edhe sezoni e gripit, menjëherë tash fillojnë që edhe të rriten rastet e lajmërimit me gripin sezonal. Qytetarët këtë shërbim përveç këtu në QKMF, mund ta marrin edhe në qendrat e tjera ku ka edhe njësi të tjera të vaksinimit. Grupet prioriet për tu vaksinuar janë personeli shëndetësorë për t’a mbrojtur vetën dhe pacientët e tyre, gratë shtatzëna, vaksinimi gjatë shtatzënisë i ndihmon edhe foshnjat e tyre në muajt e parë pasi ata nuk mund të vaksinohen”, thekson Canolli. “Grupi tjetër i qytetarëve që atakohet me rrezikun e përfshirjen me grip dhe që duhet të vaksinohen janë edhe personat me probleme kardiovaskulare, respiratorë, sëmundjet e veshkave të mushkërive, personat me imunitet të kompromentuar për shkak të kalimit të ndonjë sëmundje më herë. Personat e moshuar me mbi 65 vjeç si dhe fëmijët e vegjël nga 6 muajsh deri në 5 vjet me rekomandim të mjekut”, shton Canolli.
Ajo thotë se vaksinimi të mbron edhe nga katër lloje të virozave.
“Vaksina kundër gripit sezonal është e nevojshme për tu marrë përveçse të mbron nga gripi sezonal ajo zvogëlon mundësinë konfeksionit në mes të gripit dhe virozave të tjera sezonale ose COVID-19 i cili po ashtu është në qarkullim. Te personat e moshuar zvogëlon komplikimet dhe vdekshmërinë nga gripi sezonal. vaksinën të cilën ne e disponojmë me të cilën jemi furnizuar nga IKSHPK, është valide dhe të mbron nga 4 lloje të gripozave. Pasi jemi në sezonin e gripave unë i kisha ftuar të gjithë qytetarët që të vaksinohen sepse kjo është forma më e mirë nga mbrojtja e gripit sezonal”, thotë Canolli.
Sipas doktoreshës më 1 tetor kanë marrë vaksinën në këtë qendër 350 qytetarë.
“Interesimi i njerëzve për tu vaksinuar është mjaftë i lartë më 1 tetor, 350 qytetarë i kemi vaksinuar, ndoshta edhe ende nuk e kanë marrë informacionin, interesimi ka qenë i lartë sidomos i personave me sëmundje kronike dhe i personave të moshuar. Simptomat e gripit sezonal janë: Temperaturë, ethe, rrjedhje të hundëve, kollitje, dhembje të muskujve dhe nyejve e të tjera. Masat e tjera parandaluese të gripit përpos vaksinimit janë edhe larja e shpeshtë e duarve, përdorimi i maskave, sidomos i atyre që kanë imunitet të dobët”, deklaron Canolli.
As moti me shi nuk i kishte penguar disa qytetarët që të shkojnë në QKMF.
Ata e mirëpritën vaksinën kundër gripit në mënyrë që dimrin ta kalojnë më lehtë sa iu perfektë infektimit me grip.
“Unë e marr tash e 3 vjet e marr mirëpo po kam drojë që nuk është e njëjta sikurse ajo e COVID-19. Unë po e marr, mirëpo nuk e di sa do të jetë efektive, sepse vaksina e korona virusit, ka qenë e dëmshme për shëndetin tim. Për këtë nuk dihet hala”, thotë njëri nga ta.
“Gjithë e kam marrë, asnjëherë nuk kam pasur komplikime as nuk më ka rënë gripi ka më shumë se gjashtë herë që unë e marr këtë vaksinë. Prapë e marrë unë dhe e kam marr edhe në të kaluarën. Hy në vende ku ka njerëz të cilët janë me grip dhe asnjëherë nuk atakohem me grip. Të gjithë mundohen të më ruajnë nipërit dhe mbesat por unë tash jam imun ndaj gripit”, shton një tjetër.
IKSHPK-ja inkurajon të gjithë qytetarët, sidomos grupet më të ndjeshme, që të vaksinohen dhe të mbrojnë shëndetin e tyre.
IKSHP ka kërkuar që fillimisht të vaksinohen punonjësit shëndetësorë për të garantuar sigurinë e tyre dhe të pacientëve që trajtojnë.
Po ashtu, gratë shtatzëna rekomandohen të vaksinohen për mbrojtje të plotë të tyre dhe të foshnjës.
Profesione të tjera me rrezik të shtuar që rekomandohet të vaksinohen sipas IKSHP-së janë: punëtorët e Policisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, banorët dhe stafi i shtëpive të të moshuarve, mësimdhënësit dhe edukatorët si dhe kujdestarët e pacientëve me imunitet të dobësuar.
Vaksinimi kryhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në komunat përkatëse, të cilat janë furnizuar me vaksina nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK).