SOT

Fermeri nga Malisheva kërkon mbështetje për ta rritur numrin e krerëve me lopë

Agim Morina nga fshati Golluboc i Malishevës që nga paslufta merret me punët e fshatit.

Aktualisht kujdeset për 30 krerë lopësh, ndërsa pretendon ta rrisë numrin e tyre, nëse gjen mbështetje nga shteti.

Vetëm apo i shoqëruar nga babai i tij 70-vjeçar, çdo ditë ai kullot bagëtitë në fushat e malet e fshatit.

Morina tregon se të ardhurat nga puna në fermën e tij i ka më të mira krahasuar me periudhën kur jetonte e punonte në Gjermani.

“Në Gjermani kam jetuar 10 vjet, pas luftës jam kthyer në Kosovë dhe nga ai moment jam marrë me bujqësi. Me 3-4 lopë e kam nisë, ndërsa sot i kam rreth 30 krerë me lopë. Janë lopë qumështore, qumështin e tyre e dërgoj në pikën grumbulluese në fshat. Kam shumë leverdi nga lopët por me pasë edhe mbështetjen e Komunës dhe Ministrisë, e kisha rritë numrin e lopëve edhe për 30 lopë të tjera. Nga institucionet kërkoje që sado pak bujq që kem mbetë me na ndihmu. Mbështetja e tyre me na nxit që mos ta lëshojmë vendin tonë, por të punojmë e të kontribuojmë në vendin tonë, sepse edhe shteti ka leverdi nga ne”, thotë Morina.

Sfida më e madhe për Agim Morinën është ndërtimi i një stalle, për të cilën ai ka kërkuar përkrahje nga Komuna e Malishevës. Për këtë Sylë Dukolli, drejtori i Bujqësisë në këtë komunë thotë se Morinës vetëm Ministria e Bujqësisë mund t’i ofrojë ndihmë, pasi sipas tij, Komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

“Zakonisht i vizitoj fermerët, në këtë rast Agim Morina ka kërkuar nga Komuna për ndërtimin e një stalle, por Komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm prandaj i them që të adresohet të Ministria e Bujqësisë, sepse i plotëson të gjitha kriteret, pasi që i ka mbi 30 krerë me lopë”, thotë Dukolli.

Morina thotë se nga një lopë mjel 15 deri në 20 litra qumësht. Qumështin e grumbulluar më pas e dërgon në pikat grumbulluese të fshatit.

“Lloji i lopëve janë bardhë e kuq, kryesisht janë nga Gjermania, Kroacia ndërsa disa i kam shtuar nga lopët e mia. Këto lopë 5 muaj i mbaj brenda në stallë gjithë verën në natyrë. Nga një lopë marrë 15 deri në 20 litra qumësht”, tregon Morina.

bagëtitë e tij, ai punon rreth 16 hektarë me grurë e misër.

Gjithsej në fshatrat e Malishevës janë 60 fermerë që merren vetëm me lopë. Ndërsa, janë vetëm 2 mijë krerë lopësh.

“Komuna e Malishevës me mundësitë e saj buxhetore të gjithë fermerëve që e dorëzojnë qumështin në pikat grumbulluese dhe të cilët i kanë faturat, ne si Komunë i mbulojmë me 3 cent shtesë ndërsa 6-7 cent Qeveria. Në Komunën e Malishevës janë rreth 80 fermerë, llogaritet që janë rreth 2 mijë krerë me lopë”, tregon drejtori i bujqësisë Sylë Dukolli.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për të përfituar subvencione nga kjo ministri, një fermer duhet t’i ketë të paktën 5 krerë me lopë qumështore.