Është mbajtur edicioni i dytë i panairit, i cili po bën edhe prezantimin e promovimin e produkteve vendore dhe tradicionale të bizneseve dhe individëve sipërmarrës në Dragash
Që në orët e para të mëngjesit nga fshatrat e tyre morën rrugë për në qytet.
Në Dragash, sollën djathin, flitë, petullat, qeshqekun e shumë ushqime të tjera me të cilat veçohet ky rajon.
Gorania e vetme në panair, Seida Dauti, në edicionin e dytë të panairit për prezantimin e ushqimeve tradicionale “Expo Sharri”, kishte ekspozuar djathin e fortë e të bardhë të Sharrit, po ashtu edhe qumështin e dhive dhe lopëve.
“Qeshkeku” është ëmbëlsira e popullarizuar e përdorur për dasmat e Dragashit që po ashtu simbolizoi organizimin.
Si zakon nisi në Opojë me një histori unike e atë të premten e përgatiste një 24-vjeçar.
E valles i priu më i moshuari i vendit, 83-vjeçari Muhamet Sinani, i cili me valle prezantoi edhe punimet e tij artizanale të punuara me dru.
Me punime artizanale u prezantua edhe gruaja e tij Fehmije Sinani, e cila bën thurjen e veshjeve tradicionale.
Recetën e shijshme të petullave të cilat ua shërbeu të pranishmëve, na e tregon vetë Selavere Hamza, nga fshati Bersanje.
Në hapjen e panairit organizatori Burim Piraj, tha se Dragashi, edhe pse qytet i vogël, ka potencial të madh dhe po kontribuon ne zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.
Është viti i dytë që po organizohet panairi njëditor i promovimit të produkteve vendore dhe tradicionale në Dragash, e që qëllimi është që të shndërrohet edhe në festival tradicional.