SOT

Çajet e sezonit të ftohtë

Në fshatin Kishnicë të Komunës së Graçanicës ka përfunduar muaj më parë vjelja e bimëve me të cilat bëhet çaji. Por shitja e tyre më së shumti bëhet gjatë muajve të vjeshtës e dimrit.

Havushe Bajrami-Bunjaku tash 10 vjet siguron të ardhurat duke shitur çaje. Sipas saj, fundviti pandemik e ka rritur interesimin, ndërsa për dallim me 10 vjet më parë puna është shtuar shumë. Aktualisht në depon që ndodhet në shtëpinë e saj ka mbi 40 lloje të çajit.

“’99 Lule’e ka filluar veprimtarinë para 10 vitesh me 2-3 lloje, tash i kemi mbi 40 lloje të çajeve”, thotë Bajrami Bunjaku.

Ajo planifikon ta hapë një lokal të ri me çaje vendëse.

“Planet tona janë që ta kemi një pikë shitëse në Prishtinë, përveç shitjes së çajeve t’i kombinojmë në bazë të nevojave të konsumatorëve. (Planifikojmë që) aty të jetë edhe nutricistja”, tregon ajo.

Nga llojet e ndryshme të çajeve Bajrami-Bunjaku për sezonin e gripit dhe të viruseve veçon çajin e malit apo rigonin, mentën shtogun e sherbelën.

Para se të shërbehen, këto lloje të çajeve duhet të qëndrojnë në ujë të nxehtë 5 deri në 6 minuta. Gota me çaj duhet të mbulohet për të mos u avulluar vlerat ushqyese. Sipas saj, sivjet shitjet kanë qenë 50 për qind më të mëdha sesa vitin e kaluar.